Polonia do të ketë nevojë për një ushtri shumë më të madhe, nëse kërkon të mbrohet nga ajo që duket të jetë një luftë e pashmangshme për këtë gjeneratë”, citohet të ketë thënë një gjeneral i lartë polak.
Agjencia shtetërore e lajmeve PAP, citoi shefin e shtabit të forcave të armatosura, Gjeneralin Wieslaw Kukula, të ketë thënë se mplakja e popullsisë e bën të vështirë rekrutimin e ushtarëve të rinj.
“Gjithçka tregon se ne jemi brezi që duhet të luftojmë për ta mbrojtur vendin tonë. Unë dhe askush nga ju nuk kemi ndërmend ta humbasim këtë luftë”, tha Gjenerali Kulula gjatë një fjalimi përpara akademisë ushtarake të vendin në Universitetin e Forcave Tokësore në Wroclaw.
“Ne do ta fitojmë luftën dhe do të vazhdojmë ta ndërtojmë Poloninë, por diçka duhet të ndodhë. Ne duhet ta shtojmë rrethin e forcave të armatosura dhe t’i përgatisim për këtë lloj beteje”.
Gjenerali Kukula tha se kriza demografike do të ulë ritmin e rekrutimit.
“Fuqia e kundërshtarit është kaq e madhe sa duhet të krijojmë një ushtri shumë më të madhe, çka nënkupton aktivizimin e shërbimit të detyruar ushtarak”, citohet të ketë thënë Kukula.
Aktualisht shërbimi ushtarak në Poloni nuk është i detyrueshëm. Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes e Polonisë, deri në fund të këtij viti Polonia do të ketë rreth 207,500 ushtarë, shifër që e bën atë ushtrinë e tretë më të madhe të vendeve të NATO-s, sa i përket personelit. Në vend të parë renditen Shtetet e Bashkuara dhe pas saj Turqia.
Gjenerali Kukula tha në muajin Korrik se Polonia duhet t’i përgatisë forcat e saj ushtarake për një konflikt në shkallë të gjerë. Marrëdhëniet e Polonisë me Rusinë dhe Bjellorusinë janë përkeqësuar ndjeshëm që kur Moska filloi agresionin kundër Ukrainës fqinje në Shkurt të vitit 2022./VOA