1.2 C
Tetovo
E premte, 29 Nëntor, 2024
BallinaOpinionDilaver Goxhaj / PJESA E PESTË E REAGIMIT.NDAJ LIBRIT “DOSJA  AMERIKANE PËR...

Dilaver Goxhaj / PJESA E PESTË E REAGIMIT.NDAJ LIBRIT “DOSJA  AMERIKANE PËR SHQIPËRINË KOMUNISTE”

Aplikimi i “komunizmit të luftës” përballoi luftën 9-vjeçare me bandat diversioniste dhe me kriminelët e luftës të arratisur në male (1945 – 1953)

Në ktë reagim ndaj librit “Dosja  Amerikane për Shqipërinë Komuniste”, me autorë Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti do të bëhet fjalë për sasinë  e  grupeve diversioniste dhe tërësia e veprimeve dhe mjeteve që përdori Shqipëria Demokratike e porsa dalë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, për ta fituar atë luftë të nxitur nga disa shtete të fuqishme kapitaliste.

Gjatë viteve 1945-1953 kanë infiltruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, 

nga toka, deti dhe ajri 11.800 – 12.000 grupe e banda kriminale diversioniste, që do të thotë 1.310 –1.333 banda gjatë çdo viti. Thënë më konkretisht: jo më pak se 110 banda në muaj. Më saktë akoma, çdo ditë infiltronin në Shqipëri 3-4 banda nga toka, nga deti dhe ajri, pa përfshirë në këto shifra bandat e kriminelëve të luftës që qenë arratisur nëpër male brenda vendit. Qëllimi i asaj lufte 9-vjeçare ishte për rrëzimin e Qeverisë Demokratike Shqiptare të porsavendosur pas LANÇ-it. Rruga dhe mjetet e zgjedhura prej tyre për arritjen e atij qëllimi ishte: vrasja e sa më shumë anëtarë të PKSH-së dhe pushteterë të të gjithë niveleve, për të shpërthyer një çfarëdolloj kryengritjeje, e cila të shfrytëzohej për një ndërhyrje të armatosur në Shqipëri nga shtetet fqinjë, që ta merrnin përsëri pushtetin ish-klasat shfrytëzuese të paraluftës së Dytë Botërore.

1. Këto 11.800 – 12.000 banda kanë vrarë 1.479 shqiptarë, dhe plagosur 339 të tjerë.

2. Agjentë të vrarë nga forcat tona të Ndjekjes, Sigurimit dhe Policisë: 1.452 vetë

3. Agjentë ta kapur gjallë: 1.523 vetë

4. Agjentë të vetëdorzuar: 1.617

5. Armë të kapura si gjatë hedhjeve nga ajri edhe gjatë përpjekjeve – gati 100.000 copë.

6. Fishekë të kapur – mbi 1.000.000 copë.

7. Çdo vit hidheshin nga ajri jo më pak se 3.000.000 fletushka propagandistike, përveç gazetës “Shqipëria” e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, e cila dilte dy herë në muaj me nga 50.000 kopje, dërgohej në Greqi dhe hidhej nga ajri. (I.Koçollari “Operacione..”, v.2, f 264,279)

Duke pasur parasysh se bandat përbëheshin nga 2,3,4 dhe 5 anëtarë, ose mesatarisht secila bandë prej 3 – 4 anëtarë, rezulton se në Shqipëri, gjatë viteve 1945 – 1953 ka infiltruar në Shqipëri (nga toka, ajri dhe deti), një armatë e tërë prej gati 40.000–50.000 kriminelë banditë të armatosur, përfshi dhe kriminelët e luftës të arratisur nëpër male. Të gjithë diversantët që infiltroheshin në Shqipëri pajiseshin, përveç armatimit dhe municioneve, edhe me 300 – 400 monedha ari, floriri ose stërlina në xhepa, që do të thotë mesatarisht 12 deri 20 milionë monedha të tilla! Dhe ironia e fatit qëndron në faktin që, Bejtullah Destani e Visar Zhiti, në vend që ta quajnë këtë hordhi vrastare kundër popullit shqiptar me një efektiv prej gati 40.000-50.000 vetësh, “një hordhi e vërtetë e  Çingis Khanit”, ata etiketojnë të tillë forcat e Brigadave të Ndjekjes, të Sigurimit dhe të Policisë Shqiptare që  luftonin kundër hordhisë diversioniste 40-50 mijëshe  të një gjaku, e cila bëri të pamundurën të fusnin Shqipërinë në Luftë Civile, për të justifikuar ndërhyrjen ndërkombëtare për një ripushtim të Shqipërisë.

Por ndodhi çudia! E gjithë kjo armatë kriminelësh nuk mundi dot ta nënshtronte shtetin më të vogël dhe më të varfër në botë të asaj kohe. Pse? Sepse atë Shqipëri e mbronte një popull i tërë, i cili shfaqi për herë të dytë, pas 5 vjete luftë çlirimtare, forcën e jashtëzakonshme dhe vitalitetin e tij. Ky vitalitet kaq i jashtëzakonshëm i shqiptarit e kishte burimin jo vetëm në traditën e fortë të atdhedashurisë dhe në ëndrrën e tij shekullore për pavarësi kombëtare dhe për të drejtat e vegjëlisë. Kjo luftë me bandit vërtetoi edhe një herë, se shqiptari ka ardhur duke e dashur edhe më shumë atdheun jo vetëm si atdhetar, por edhe si një popull që pat fituar koncepte të reja mbi dashurinë ndaj atdheut, e shfaqur kjo dukshëm gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Ajo luftë i çoi përpara edhe botëkuptimin klasor si popull, duke e bërë të ndërgjegshëm, më shumë se për çdo gjë tjetër, se: nuk duhet ta heqë kurrë pushkën nga dora. 

Këtu qëndron edhe fakti se pse gjatë asaj Lufte të Armatosur e të Heshtur  9-vjeçare, në çdo 22 shqiptarë, një shqiptar kishte armë.(I.K. Operc. Sekr..,v.2,f.292). 

Ne shqiptarët jemi i vetmi popull në Evropë që e çliruam vendin tonë nga pushtuesit nazi-fashistë vetëm me forcat tona, me rrezik e me gjak, dhe jemi gati në çdo çast ta mbrojmë Shqipërinë kundër të gjithë armiqve, ngado që të vijnë; aq më shumë, që ky popull e kuptoi se  Shqipëria e pasluftës ishte një tip i ri shoqërie që ishte në agimin e  zhvillimit të saj, duke u bindur, se horizontet e përparimit njerëzor në regjimin socialit ishin të pakufishëm. 

Njëkohësishtë ajo luftë 9-vjeçare, kundër 12 mijë bandave kriminale dhe atyre të arratisura nëpër male, u fitua ngaqë populli shqiptar ushqente dashurinë më të madhe dhe respektin më të thellë për udhëheqësit e LANÇ-it dhe të formacioneve partizane, që aktualisht qeverisnin Shqipërinë demokratike, si dhe për forcat e Ndjekjes, të Kufirit, të Sigurimit e të Policisë, duke parë dhe gjetur tek ata shpëtimtarët e vetë, të cilët po vinin në zbatim rindërtimin e vendit pas luftës dhe planizonin zhvillimin e mëpasmë të industrializimit të Shqipërisë dhe zhvillimin e bujqsisë në kohë paqe. 

Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti e kanë dëgjuar termin “komunist”, por nuk e kanë kuptuar se pse Shqipëria e dekdës së parë të lirisë së saj, 1945-1953, është quajtur “Shqipëria Komuniste”. Kjo për vet faktin se gjatë atyre 9 viteve Shqipëria u detyrua të zbatonte teorinë dhe praktikën e “komunizmit të luftës”, e imponuar nga kushtet e vështira të  krijuara nga lufta për rindërtimin e vëndit, i cili ishte djegur e shkatërruar nga lufta kundër pushtuesve; e imponuar nga lufta për sigurimin e bukës me forcat e veta për të gjithë popullin ngaqë luftonte në rrethim; e imponuar nga lufta kundër bandave diversioniste të armatosura më mirë se Ushtria Popullore, për mbrojtjen e pavarësisë të porsa rifituar. Shteti shqiptar i kësaj periudhe kalimtare u imponuat të praktikonte “komunizmin e luftës”, e cila nuk mund të ishte tjetër veçse një diktaturë revolucionare. 

Këto ishin kushtet që e imponuan Qeverinë Demokratike të Shqipërisë për të vënë në jetë “komunizmin e luftës”, ndryshe nuk mundej ta përballonte luftën që po i bënin pesë shtetet të fuqishme, (SHBA, Angli, Itali, Jugosllavi, Greqi, ku barrën kryesore në operacionet e përbashkëta e mbajti Shërbimi Sekret CIA – I.Koçoll.v.2,f.487). Që do të thotë se çdo ditë dërgoheshin banda kriminele njëherësh nga shumë drejtime, tw cilët vepronin jo më pak se 1,5 muaj e më shumë (nëse nuk asgjësoheshin), duke bashkëvepruar me bandat kriminele të luftës të arratisura në male; periudhë kjo, që pat tronditur edhe historianen angleze, Mekmilan, të shprehej: “E mjera Shqipëri, me kaq shumë armiq të fuqishëm dhe me kaq pak miq!”

Po pse quhet “komunizmi i luftës”? 12.000 bandat e armatosura që u futën në Shqipëri gjatë atyre 9-viteve nga toka, deti e ajri, ku çdo ditë futëshin në Shqipëri njëkohësishtë mesatarisht 10-15 banditë nga të tre trejtimet, që, në bashkveprim me bandat e kriminelëve të luftës të arratisur nëpër male, duke vrarë pushtetarë dhe anëtarë të PPSH, duke nxitur një kryengritje të armatosur, (luftë civile), e cila do të ishte pretekst për ndërhyrje të armatosur në Shqipëri nga jashtë; gjë që të mundësohej Greqia monarko-fashiste, tw aneksonte Shqipërinë e Jugut, ndërsa Jugosllavia të na gllabëronte si republikë e shtatë e saj, për të mos pasur më shtet shqiptar në Ballkan. 

Qëllimi i “komunizmit të luftës” ishte: Të gjithë të barabartë në të drejtat dhe detyrat ndaj Atdheut, në çdo drejtim, se vetëm kështu mund të fitohej me bandat kriminale dhe të mbrohej pavarësia e rifituar përmes LANÇ-it. Dhe sesi u arrit ky objektiv, e thekson vetë Enver Hoxha: “Vendosja e autoritetit në radhë të parë në fushën ekonomike. Dhe çfarë? Vendosi kontrollin mbi të gjitha ndërmarrjet dhe shoqëritë e tregëtarëve e të industralistëve shqiptarë, duke rekuizuar produktet ushqimore, farmaceutike, mjetet e transportit, ndërtesat e nevojshme për administratën shtetërore apo për banesa etj., disa me pagesë e disa pa pagesë. U konfiskuan të gjitha pasuritë e kriminelëve të luftës, të të arratisurve politikë, dhe pasuritë e Gjermanisë e të Italisë dhe të shtetasve të tyre. Gradualisht filloi shtetëzimi i gjithë industrisë ekzistuese në vendin tonë; minierat, fabrikat, dyqanet e shtetëzuara apo të konfiskuara u bënë shtetërore dhe ishin baza e parë e pronës së përbashkët socialiste. [..] U krye një ndër revolucionet e mëdha e më të thella, Reforma Agrare, e cila bëri një shndërrim kolosal të marrëdhënieve në prodhim dhe hapi rrugën drejt lindjes të një shoqërie të re.” (E.Hoxha ”Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” Tiranë,1984, f.485, 496)

“Një tjetër pikë e forte për regjimin aktual në Shqipëri janë 70.212 familje fshatare, tw cilat u bënë pronare të tokës pikërisht nga ky regjim, tokë e cila më pare I takonte latifondistëve të mëdhenj”- theksohej në një raport analitik të CIA-s. (OBOPUSBGFIEN..VOL.24.(BGFIEND OPERATIONS..0028) & I.Koçollari “Operacione…” V.2,f.304). “Nëse dikush do të njihte psikologjinë e fashatarit shqiptar, duhej të kishte parasysh faktin se ata do të luftonin për të mbrojtur tokën e tyre dhe njerëzit që ua kishin dhënë atë tokë.” (I.Koçollari. Po aty, f. 291)

Pra, të gjithë fshatarët u bënë pronarë në mënyrë të barabartë, duke e siguruar bukën vetë dhe tepëricat t’ia dorzonin shtetit kundrejt pagesës; e gjithë pasuria kombëtare u bë pronë e shtetit dhe e gjithë popullsia e qytetit e aftë për punë të shkonte në punë, duke u paguar në mënyrë të barabartë për punë dhe kohë të barabartë; u vu në zbatim puna e detyrueshme për të gjitha klasat, me parrullën: “Kush nuk punon, nuk ha”; të gjithë fëmijët, pa përjashtim klasor, ishin të detyruar të shkonin në shkollë dhe falas; e gjithë popullsia analfabete e të gjitha moshave u detyrua të shkonte në kurset kundër analfabetizmit; i gjithë populli u armatos dhe u lëshua parulla: “Të gjith ushtarë” në mbrojtje të pavarësisë dhe Qeverisë Demokratike në luftë kundër grupeve diversioniste dhe kriminelëve të luftës të arratisur nëpër male, etj. 

Ky ishte “komunizmi shqiptar i luftës”, prandaj dhe e cilësuan “Shqipëria Komuniste”.  Këtë lloj “komunizmi”, me të gjithë këta element që theksuam më lart, vështirë ta ketë vënë në jetë shtet tjetër mbi këtë glob për një periudhë 10-vjeçare! Nëse Bejtullahu dhe Visari kanë pas parasysh këtë lloj “Shqipëri Komuniste” kur kanë përzgjedhur titullin e librit të tyre, atëhere do t’u jepnim të drejtë.

Bazuar në sa më sipër, mund të dalim në përfundimin se:  shpenzimet e harxhauara nga ish-Aleatët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare na rezulton se shpenzimet e tyre, duke ngritur kampe dhe grumbulluar e ushqyer në këto kampe këtë sasi agjentësh kriminelë, duke i stërvitur, armatosur, veshur, mbathur, ushqyer, si dhe duke kryer qindra fluturime ajrore për desantimin e tyre, do të thotë se janë dhjetra herë, për mos të thënë qindra here më të shumta se shpenzimet që na dhanë kur i kishim aleatë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, 1939-1944. 

Vetëm Amerikanët financuan diversantët me 9.000.000 dollarë dhe me 5.000 monedha të tjera napolona flori që i merrnin diversantët me vete, për të mashtruar popullin, para se t’i nisnin për në Shqipëri. (I.K., “Operacione..”, vëll.1, f.206). 

Dhe këto fakte konkrete të opercioneve të Perëndimit kundër Shqipërisë na i vërtetojnë edhe tre autorë të strukturave të Shërbimeve Sekrete, Bruce Page, David Leitch dhe Phillip Knightlly të librave “The Philby Conspiracy”, “Doubleday&Company”, Njy York, 1968, fq. 198, të cilët na e bëjnë me dije se: 

“Pas Luftës së Dytë Botërore, komunistët nuk ishin më aleatë, përkundrazi, armiqtë tanë. Personat e larguar nga Shqipëria dhe të vendosur nëpër Kampet e refugjatëve në Itali dhe Greqi, ishin antikomunistë (kolaboracionistë), të cilët vlerësoheshin si kontigjenti më i përshtatshëm për radhët e njësiteve të armatosura, që do të rekrutoheshin.” (shih I.Koçollari  “Operqacione”,V.1, fq. 243).

Po këtë të vërtetë na e pohon edhe  vetë Drejtori i CIA-s i asaj kohe, Allen Dallesi: 

“Gjatë Luftës së Dytë Botërore, SHBA bashkoi forcat me komunistët për të luftuar fashizmin. Gjatë Luftës së Ftohtë, CIA shfrytëzoi fashistët për të luftuar komunistët… Nuk mund të drejtohej sistemi hekurudhor komunist pa angazhuar dhe anëtarë të Partisë Naziste.”, (Irakli Koçollari “Operacione…”, Po aty).

Gjithashru Thomas Powers, autor i librit me titull “Inteligency Wars-American Secret History from Hitler to Al-Qaida”, Nyrb, New York, 2002, fq. 20, bën të njohur se: 

“Sipas librit të Xhon Laftus, të titulluar “Sekreti Bjellorus”, më pas Frank Wisner, (drejtuesi i stafit të  specialistëve të CIA, figura më emblematike e saj), mbështeti një plan për invazionin e Shqipërisë, plan, i cili nuk do të ishte braktisur, nëse shumë nga njerëzit e stërvitur dhe dërguar për këtë mision, nuk do të ishin vrarë.” (Winer,Tim: “Legacy of Ashes-The History of the CIA”, fq.140, si dhe I. Koçollari “Operacione…”, v.1, fq. 245)

Dhe, mbi dëshmitë (faktet) e rreme të 4.810 diversantëve kriminelë, që mundën të ktheheshin gjallë nga ajo armatë  vrastare 40-50mijëshe, të infiltruara në Shqipëri nga ajri, toka e deti, zotërinjtë Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti, i kanë dhënë të drejtën vetes ta fyejnë Shqipërinë e ndritur, duke e quajtur “diktatura me e madhe, më e egër se të tjerët dhe më e pasur në krime.”(!) (Dosja e UDB, fq.15). 

Çfarë mashtrimi dhe fyerje të madhe që i bëjnë këta të dy antishqiptarë popullit dhe kombit shqiptar! O Tempora! O Mores! Dhe Libraria Artini – Prishtinë vijon ta shesë e t’i bëjë reklamë këtij libri! 

Vërtetësinë e këtyre “dëshmive”, (shpifjeve), të  grumbulluara nga Bejtullahu dhe Visar  (“thesar”) Zhiti na e sqaron akademiku Irakli Koçollari, studjuesi i gjithë dokumentacionit të deklasuar sekret agjenturor të CIA-s, UDB-së, të Zbulimit Britanik, të atij Italian e Grek si dhe i arkivave të Ministrisë Punëve të Brendshme të Shqipërisë: 

“Këta agjentë të infiltruara ilegalisht në Shqipëri, kur ktheheshin nga misionet e tyre bënin raporte të fabrikuara dhe të ekzagjeruara. Ata mbështeteshin në dëshirat dhe shpresat e drejtuesve të emigracionit shqiptar, me shpresën se ata kështu mund të siguronin një pozicion të rëndësishmëm në qeveritë e ardhshme.” (I. Koçollari “Operacione Sekrete-Shqipëria nën Luftën e Ftohtë”,vëll. 2, f.292).

E vonuam këtë reagim të radhës ndaj librit “Dosja Amerikane   për Shqipërinë Komuniste”, duke pritur se do të merrnim një përgjigje nga zotërinjtë Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti për të na informuar më hollësisht për kampet e përqëndrimit të tradhëtarëve shqiptarë të emigruar në vendet e mësipërme, emrat e kriminelëve dhe të shefave kryesorë të atyre partive, organizatave dhe grupeve që ishin krijuar enkas në emigracion për organizimin, përgatitjen, armatosjen dhe dërgimin e bandave kriminale diversioniste në Shqipëri, prej të ciëve janë grumbulluar dëshmitë e prezantuara nga Bejtullah Destani, dëshmi të cilat bien ndesh me realitetin e atij 10-vjeçari të asaj Lufte të Heshtur.

Numëri i dëshmitarëve nga armata ish-kolaboracioniste 40-50 mijëshe të përgatitur në Perëndim me emigrantë të arratisur nga Shqipëria, dhe që janë aktivizuar me grupe diversionistësh apo banda për vrasje, për terror, për sabotime dhe propagandë në Shqipëri, duke hyrë përmes kufirit tokësor, detar dhe ai ajror, të cilët pranuan të përdoreshin për ato qëllimi, prezantuar në librin “Dosja sekrete e UDB”, rezulton të jetë pjesë prej kontigjentit të 4.810 personave, të kthyer gjallë nga ajo Luftë e Heshtur, të joshur nga dollarët dhe floriri që u afrohej, të cilët pranuan të shkonin në kampet e stërvitjes dhe përgatitjes për të “çliruar” Shqipërinë nga qeveria  e kryesuar nga Enver Hoxha. 

Dhe të gjithë këta dëshmitarë që na ka servirur “historiani” dhe diplomati Bejtullah Destani, bashkë me Visar Zhitin, janë përzgjedhur dhe nxitur nga udhëheqësit e 12 forcave politike shqiptare të arratisura, në emigracion, duke i sistemuar, ushqyer, stërvitur dhe përgatitur si banditë, parashutistë dhe si spiunë në vendet perëndimorë: Itali, Austri, Gjermani, Francë, Angli, etj.; në Lindjen e Afërt: Turqi, Siri, Liban, Egjypt; përtej Oqeanit: SHBA, Kanada, Australi, Zelanë e Re dhe Brazil, sikundër theksohet qysh në pasqyrën e lëndës te “Dosja sekrete e UDB”, Beograd, Dhjetor 1953. 

Në vijim, do të shohim më hollësisht se cilat janë bandit dhe banditët e atyre 12 mijë grupeve diversioniste kriminele që janë infiltrur në Shqipëri, si dhe veprimtarinë e tyre vrastare në atdheun e tyre, duke i dërguar nga Italia, Greqia dhe Jugosllavia,  nga toka, deti dhe ajri. 

Tiranë, 16 shtator 2024

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments