Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sot ka prezantuar masat politike të Serbisë, ka folur edhe për opsionin e shpalljes së “okupimit të Kosovës”.
Vuçiq ka thënë se në ditët e fundit ka pasur dilema nëse Serbia duhet të marrë ndonjë veprim sa i përket “pushtimit të një pjese të territorit”.
“Nuk kemi marrë vendim për pushtimin. Ekspertët tanë ligjorë kanë qenë kundër”, ka thënë ai.
“Nëse do të shpallej pushtimi, grupeve të armatosura të shqiptarëve në Kosovë do t’u njihej statusi i forcës legale të armatosur”, tha Vuçiq, duke shtuar se kjo është arsyeja kryesore kundër shpalljes së okupimit, transmeton Telegrafi.
Ai tha se është shumë e rëndësishme që legalizimi dhe legjitimimi të mos ndodhë.
“Okupimi është i mundur vetëm në konfliktet e armatosura ndërkombëtare. Kjo do të thotë se ne e njohim territorin e Republikës së Kosovës si territor i një shteti tjetër. Prandaj nuk po marrim masa për të shpallur pushtimin”, shtoi Vuçiq.
Gjithashtu, theksoi Vuçiq, pranimi i okupimit do të ishte vepër penale.
Sipas Vuçiqit, masat e prezantuara prej Beogradit janë përpiluar në koordinim me përfaqësuesit e serbëve prej Kosovës dhe Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai ka thënë se këto masa “nuk do të zgjasin përjetësisht”, mirëpo vetëm derisa të respektohet ajo që është arritur në Bruksel. /