Pretendimet e ngritura së fundi se Serbia është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve të Kosovës në Sanxhak, janë mohuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. E, Presidentja e Komitetit të Helsinkit për Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila ishte në takim me kryeministrin Albin Kurti kur u diskutua kjo çështje, ka thënë se u takon institucioneve dhe shoqërisë civile vendore e ndërkombëtare që ta vërtetojnë saktësinë e këtyre informacioneve
Zyrtarë të Serbisë i kanë mohuar pretendimet e ngritura se kanë në plan ndërtimin e shtëpive në Sanxhak për t’i zhvendosur atje serbët nga veriu i Kosovës.
Një ditë më herët, zyra e kryeministri njoftoi se Albin Kurti u informua për këtë në takimin që pati me presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, politikanin serb, Nenad Çanak dhe drejtorin e Qendrës për Dialog Humanitar, Mark Baskin.
Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë. Kryeministri Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë”, shkruan në komunikatën e ZKM-së.
Por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka mohuar këtë tek ka thënë se serbët do të mbeten në Kosovë pavarësisht dëshirës, sipas tij, të shumë njerëzve që të mos jenë atje.
“Serbët nga Kosova dhe M do të mbeten në Kosovë dhe M, përkundër dëshirës së Albin Kurtit, Nenad Çanakut, Sonja Biserkos dhe shumë të tjerëve që serbët nga Kosova të zhduken. Nuk do të më kishte shkuar në mendje të mendoj diçka të tillë. Shkurtë këto janë budallallëqe”, ka thënë Vuçiqi për mediat serbe.
© SYRI.net