Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla sot në Shkup deklaroi se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviç nuk ka të bëjë me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, përcjell TV21. Sveçla tha se për rasti e dy shtetasve të Maqedonisë në Kosovë, duhet të kërkohet përgjigje nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë.
“Për rastin që ju e përmendët, unë besojnë që është e udhës që të pyetet Ministria e Drejtësisë, dikasteri i cili mbulon këtë fushë, kurse sa i takon arrestimit dhe kërkesës për ekstradim nga Serbia për shtetasin tonë, për raste të njëjta është deklaruar vetë gjykata e Maqedonisë së Veriut. Dmth që ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë si dy vende fqinj, dy vende mike, dhe nuk duhet të lejojmë që kërkesat kriminale të një vendi të tretë, që nuk kanë asnjë bazë lidhore as në të drejtën ndërkombëtare, të vështirësojë qarkullimin e lirë të qytetarëve të dy vendeve”, deklaroi mes tjerash Sveçla./tv21.tv