Kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ka bërë të ditur se procedurat për lejen e ndërtimit të stadiumit të qytetit janë drejt përfundimit. Sipas tij, projekti është gati dhe pritet që punimet të fillojnë së shpejti, pas përfundimit të të gjitha dokumentacioneve të nevojshme, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, të hënën, gjatë promovimit të rrugës së rikonstruktuar në lagjen “Shtipska” në Tetovë për Portalb.mk deklaroi se janë në fazën përfundimtare të procedurave për lejen e ndërtimit të stadiumit të qytetit, dhe beson se këto ditë, pasi të përfundojë leja, do të jenë gati për të nisur ri-punimet.
“Jemi duke i përfunduar të gjitha procedurat për lejen e ndërtimit. Besojmë se brenda këtyre ditëve, kur leja të ketë përfunduar, poashtu projekti veçmë është gati dhe punimet do të fillojnë. Nuk dua të jap data të sakta, sepse mund të kërkohet ndonjë dokument shtesë, por besoj se shumë shpejt do të kompletohet leja dhe do të nisin punimet”, u shpreh Kasami.
Përveç kësaj, Kasami bëri të ditur se stadiumi i ri do të financohet pjesërisht edhe nga qeveria, por që ende nuk janë zhvilluar takimet e nevojshme me Ministrinë e Sportit.
“Stadiumi do të financohet pjesërisht nga qeveria. Ende nuk kemi bërë takimin e parë me ministrin e Sportit dhe ende nuk dihet fushëveprimi i ministrisë së re. Kur ministria të sistemohet dhe ministri të njohë përgjegjësitë e tij, do të ulemi dhe do të diskutojmë për mundësinë që pjesërisht stadiumi të financohet edhe nga Qeveria”, tha Kasami.
Kujtojmë se në Tetovë, aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumi të qytetit, kërkesë dhe nevojë kjo e kahmotshme e qytetarëve, filluan gjatë muajt prill, për të cilin u tha se do të jetë gati për tre vjet.
Por, gjithçka ndryshoi më 23 maj, kur ish-Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim që të ndërpriten punimet për stadiumin me mendim të Gjykatës Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me Stadiumin e Tetovës, i cili me vendim të Qeverisë në vitin 2015, i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm, pa kompensim Komunës së Tetovës.
Nga qeveria theksuan se sipas dispozitave të Ligjit për shfrytëzimin dhe disponimin me sendet në pronë shtetërore dhe me sendet në pronë komunale, sipas së cilave kompetencë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit, ka vetëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qeveria paralajmëroi edhe kallëzim penal për këtë rast.
Kasami këtë vendim e konsideroi si dëm ndaj Tetovës.
Kontrata për stadiumin e qytetit u nënshkrua me 18.03.2024 nga ana e NP ‘Tetova Transport’ dhe Shoqërisë për tregti dhe shërbime ‘E-Property’, pronar i së cilës sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror doli të ishte Nazif Destani, djali i biznesmenit, Lazim Destani.
Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.
Me projektin ishin të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.