Paralajmërimet e kryeministrit që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë buxhet autonom, ndërsa punën e tyre ta monitorojë një komision parlamentar, ekspertët e fushës e cilësojnë si një tjetër përpjekje që Qeveria të krijojë komoditet për veten, shkruan Alsat.
Bashkim Selmani, thotë se edhe kjo Qeveri po krijon mentalitetin e qeverive të kaluara me ç’ka gjyqësori do të vazhdojë të mbetet degë e Qeverisë dhe në funksion të interesit të saj.
“Nëse doni të krijoni komisione, do të thotë që ju ia merrni të drejtën interesit publik dhe gjyqësorin doni ta vendosni në funksion të interesit privat dhe në këtë rast, të interesit të Qeverisë. Vetë mentaliteti i krijimit të komisioneve domethënë shtimi i kufizimit të të drejtave kolektive dhe komoditeti i dhënies së Qeverisë dhe Qeveria aktualisht bën përpjekjen e qeverive të kaluara që më tepër krijon komoditet, dihen pretendimet e para”, tha Bashkim Selmani, analist politik.
Sa u përket deklaratave për reforma në gjyqësor, Selmani ironizon duke thënë se tani ka mbetur vetëm që gjyqtarët dhe prokurorët të betohen në emër të kryeministrit dhe Qeverisë.
“Për sa i përket reformës, ne apelojmë te kryeministri të lexojë dhe të shoh aktgjykimet se si prokurorët dhe gjyqtarët betohen në emër të qytetarëve dhe jo në emër të Qeverisë. E vetmja reformë që ka mbet në gjyqësi që gjyqtarët dhe prokurorët të betohen në emër të kryeministrit dhe Qeverisë”, u shpreh Bashkim Selmani, analist politik.
Hristijan Mickoski, menjëherë pasi u ul në karrigen e kryeministit, paralajmëroi shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe atë të prokurorëve.
Këto paralajmërime ngjallën reagime ndërkombëtare dhe shkaktuan përplasje mes ambasadorëve dhe Mickoskit. Kryeministri madje kërkoi që ambasadorët të mos përzihen në punët e brendshme të shtetit./ Alsat.mk