Pronarët e bizneseve në rrugën e “Ilindenit” në Tetovë kishin paralajmëruar protestë në shenjë kundërshtimi ndaj aksionit të Komunës për heqjen e makinave të parkuara ose që ndalojnë anash. Ankesa e tyre është se një veprim i tillë do tua dëmtonte bizneset. Por pasi protesta nuk u zhvillua, kryetari i komunës vendosi të dalë për të dëgjuar hallet e tyre.
Pronarët kërkojnë që të paktën sa janë mërgimtarët, të ketë tolerancë dhe veturat e blerësve të mund të ndalojnë deri në 20 minuta.
“Kërkesë si dyqanxhi është që vetura e merimangës me policët mos i dënojnë ato vetuar që parkohen për 10 ose 15 minuta, se ne këtë e presim, ky është sezoni ynë, ne nuk i lëmë as pesë minuta të ndalen dhe u thonë largoheni, ata largohen, ne as nuk mund të shesim ndonjë send. Po ka ra puna se nëse ndalen policia, vijnë me motor, edhe ata largohen”, tha një pronar i një biznesi.
“Ne me lokalet që jemi të pakënaqur dhe jemi dëmtuar jashtë mase, ne e kemi pritur këtë, i kemi pritur mërgimtarët, ma shumë çka do flas?! Kërkojmë të bëjnë një zgjidhje të përbashkët që na lejojë që myshteritë të blejnë”, u shpreh një pronar tjetër.