Territori i Maqedonisë deri në fund të kësaj jave do të jetë nën ndikimin e një mase ajrore jashtëzakonisht të nxehtë që depërton nga rajonet veriore të Afrikës. Pikërisht për këtë, temperaturat kudo do të kalojnë 30 gradë, ndërsa në rajonet më të ngrohta qendrore dhe juglindore, si dhe në luginën e Shkupit do të arrijnë deri në 40 gradë.
Ka mundësi që temperatura të kalojë 40 gradë në zonat qendrore dhe juglindore. Indeksi UV do të ketë vlerën shumë të lartë 9, ndaj apelojmë qytetarët që të mos dalin pa nevojë në pjesën më të nxehtë të ditës, pra nga ora 11 deri në orën 17, por edhe të pinë më shumë lëngje.
Moti do të vazhdojë të jetë me diell dhe me vranësira lokale të ulëta deri në mesatare. Mirëpo këtë javë atmosfera nuk do të jetë plotësisht stabile, kështu që pasdite do të ketë paraqitje të izoluar të jostabilitetit, e përcjellë me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë, si dhe është e mundur paraqitja e një stuhie afatshkurtër.
Sot (e martë) pasdite do të ketë paqëndrueshmëri sidomos në rajonet perëndimore të vendit.