Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Kosova është duke përgatitur një ushtri profesionale të gatshme për mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit.
Ai ka bërë të ditur se janë në krijim të njësive të dizajnuara për operacione luftarake.
“Jemi duke e nderuar një ushtri me të vërtetë profesionale të ndërveprueshme me NATO-n dhe të gatshme për mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit tonë, jemi duke krijuar njësi të dizajnuara për operacione luftarake dhe për të mbrojtur vendin tonë dhe normalisht kemi vullnetin dhe gatishmërinë në masën më të lartë për të reaguar në rast se kërkohet nga ne kur cenohen integriteti dhe sovranitetit territorial i vendit tonë”, ka thënë Maqedonci në emisionin në Tëvë 1.
Ai ka thënë se nëse kërkohet nevoja, FSK është e gatshme për të vepruar edhe në pjesën veriore të vendit në koordinim me KFOR-in.
“Gjithmonë, prezenca e KFOR-it nga obligon që të bëjmë koordinimin paraprak, sidomos për pjesëve veriore. Ne kemi një bashkëpunim, një sinkronizim të plotë me KFOR-in sa i përket angazhimit të mundshëm të FSK-së në rast se kërkohet në atë pjesë. Në koordinim me KFOR-in, ne jemi të gatshëm të zbatojmë çdo detyrë që kemi në misionin e FSK-së kudo ku kërkohet nga ne”, është shprehur ministri.