2.4 C
Tetovo
E shtunë, 28 Dhjetor, 2024
BallinaOpinionDRITAN GOXHAJ / Dreqi, shqiptarët dhe Albini

DRITAN GOXHAJ / Dreqi, shqiptarët dhe Albini

Dje ishte dita e dhimbjes. Dhimbja vjen gjithnjë nga plagët. E dhimbja është edhe më e madhe kur plaga është e madhe. E kur plaga nuk mbyllet dot, dhimbja është gjithnjë më e madhe dhe shkon përtej kockës.

Dhimbja shkon në shpirt.

Dje ishte dita e dhimbjes së shpirtit, e unë për vete u turpërova që nuk hodha dot në letër asnjë gërmë të zezë për atë dhimbje të shpirtit.

U ndjeva i turpëruar që në datë 27 qershor harrova të shkruaj të paktën dy fjalë për dhimbjen e madhe kur njerëzit u ndanë me dhunë, pa mundur t’i thonë lamtumirë as të dashurve të tyre e as tokës së të parëve.

U turpërova para dhimbjes së ditës së përkujtimit të genocidit grek ndaj popullsisë shqiptare autoktone në trojet e veta shqiptare të Çamërisë.

U hutova e më humbi koha duke u marrë me diçka tjetër pothuajse të parëndësishme.

E në fund të fundit qëllimi i shejtanit/dreqit në këtë dynja është që të na marrë kohën, pasi ajo është e vetmja gjë që e kemi me limit në këtë dynja.

Dje më humbi koha duke lexuar e parë lajmet mbi takimin e supozuar që duhej të mbahej në datë 26 të këtij muaji në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit e Vuçiçit, takim i cili nuk u mbajt pasi Albini nuk pranoi pa u plotësuar disa kushte që ai vuri.

U hutova duke lexuar naivitetin tonë mediatik, politik dhe letrar se kush doli i fituar, kush kish frikë nga njeri -tjetri e kush bëri mirë, e kush bëri keq.

Dhe në këtë kakofoni naiviteti fasadash më erdhi në mendje një tregim i vjetër arab.

Ishte njëherë një djalosh që u mburrej shokëve të tij se ai nuk trembej nga shejtani/dreqi.

Mburrej duke thënë: “Mua nuk më bën dot asgjë dreqi/shejtani, le të vijë kur të dojë”.

Një ditë të bukur tek shkonte për shtëpi i del përpara një hije e madhe që ngadalë merr formën e një njeriu.

Djaloshi e sheh dhe e pyet: “Kush je ti?”

Hija që kishte marrë plotësisht formën e njeriut i përgjigjet: “Unë jamë shejtani/dreqi. Kam dëgjuar që më ke përmendur e erdha të të takoj vetë personalisht”.

Djaloshi ia kthen: “E atëherë, ja ku jemi, e ti nuk mundesh të më bësh mua asgjë”.

Dreqi ia kthen: “Unë mundem, por sot nuk i kam mjetet e punës me vete”.

Djaloshi i thotë: “Po ik e merri”.

Dreqi i thotë: “ Unë iki, po ti më jep fjalën që do më presësh deri sa të vij unë”.

“Dakord”, – i thotë djaloshi.

Dhe ulet aty nën hijen e një peme duke pritur që dreqi të kthehet. Por kaluan disa ditë e dreqi nuk po dukej.

Të gjithë njerëzve që e pysnin djaloshin se ç’bën aty, ai u përgjigjej se po priste dreqin.

Pas nja një jave djaloshi pa një hije që po kalonte aty dhe thirri me të madhe: “O dreq, ndal!”

Dreqi ndali dhe mori sërish formën e njeriut dhe e pyeti djaloshin: “Çfarë do?”

Djaloshi i tha: “Si çfarë dua?! A më the prit sa të marr mjetet e punës e do më tregoje se çfarë më bën ti mua? Ja, unë të prita e ti ja ku je dhe e sheh që nuk më bëre dot asgjë?

Dreqi duke qeshur ia kthen: “Po gjithë ajo që unë kam në dorë të bëj është të marr kohën tënde. A ke zotrote që një javë që më pret mua, e nuk ke vajtur as në shtëpi e nuk je marrë as edhe me një punë tjetër? E pra, kjo është fitorja ime, pasi unë të mora kohën tënde të limituar në këtë dynja”.

Dhe kjo m’u kujtua kur mendova, pasi pashë gjithë debatet mbi kushtet e Albinit, se më i fituar në këtë mes doli dreqi.

Po kush është dreqi në rastin tonë?

Ai është Serbia.

Kujt i intereson që ky dialog ndërmjet Serbisë e Kosovës të shtyhet në Kalendat Greke, në pafundësi?

Normal që i intereson vetëm Serbisë.

Pra, në këtë mes, duke mos hyrë fare në diskutimin e kushteve se a janë të drejta apo jo, thjesht nëse pyesim se a fitoi Kosova apo jo, unë them që jo, Kosova nuk fitoi nga kushtet e Albinit. Por Kosova po humbet kohë.

Dhe koha është aleati ynë më i çmuar në këto kohë të turbullta që po jetojmë, në këto kohë kur aleati ynë kryesor dhe i vetmi që kemi, Amerika, ka halle të tjera, edhe shumë më të mëdha se Kosova.

Për sa kohë në Kosovë nuk ka luftë, atëherë ajo nuk përbën një problem emergjent për politikën amerikane.

Por ama duke lozur kështu me kohën e vyer, duke e harxhuar atë si fëmijët, për të treguar që unë mundem, nuk do na mbetet më atëherë kur ajo do të na duhet më shumë, pasi me ato çfarë mund të ndodhin në fushën gjeopolitike botërore, ku mund të kemi përshkallëzim më të madh të konfliktit në Ukrainë, por jo vetëm, por edhe përshkallëzim të konfliktit në Lindje të Mesme, atëherë aleati ynë nuk do ketë më kohë të merret me ne.

Dhe ne do mbesim vetëm, pasi kohën që na u dha e harxhuam për teka.

Dhe kështu, duke vënë disa kushte, i thamë dreqit ik e merr mjetet e punës se ne po presim këtu derisa të vish.

Duhet me qenë vërtet naiv në kulm që të besosh se dreqi do marrë mjetet që i kërkuam (3 kushtet) e pastaj do vijë të merret me ne.

Dhe duke menduar për këtë edhe ndaj meje fitoi dreqi që më mori kohën e nuk munda t’i jap përgjigje pyetjeve:

Sa e madhe mund të jetë dhimbja e Çamërisë për shkak të ndarjes me dhunë?

Si mund të ndahesh nga dheu i të parëve pa mundur të thuash “lamtumirë”?

Vallë, a i ka tretur dheu ata mijëra trupa të varrosur në Qafë Botë, të cilët të vetmin amanet kishin atdheun e tyre e tonin, Çamërinë?!

Eh, sa turp!…..Sërish dreqi na mundi edhe kësaj radhe, edhe mua, edhe juve, edhe Albinin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments