Ali Ahmeti dhe Xhelal Bajrami kanë shkëmbyer porosi SMS për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës në vitin 2012. Kryetari i BDI-së disa ditë pas vrasjes e ka pyetur prokurorin e tanishëm që në atë kohë ka qenë zëvendësministër i brendshëm, Xhelal Bajramin, si është gjendja pas aktit makabër ku ishin vrarë katër djelmosha të ri dhe një peshkatar.
Porosia SMS e Bajramit dërguar Ahmetit
“Jemi duke pritur kryetar. Shihet qartë se kanë qenë profesionist. I tregova edhe kryeministrit. Nuk ka ndodhur kështu të ekzekutojnë fëmijë pas shpine. Kjo nuk ishte as në luftën e vitit 2001. Nëse dikush dëshironte përshkallëzim, do të sulmonte stacion policor. Kjo më duket si një skenë nga lufta në ish-Jugosllavi. Ata janë profesionistë, nuk kanë lënë asnjë gjurmë përveç gjurmëve të gomave të automjetit. ”
Ahmeti gjithashtu pyet nëse ka gjurmë biologjike në veturën që janë vozitur vrasësit. Bajrami i përgjigjet.
Porosia SMS e Bajramit dërguar Ahmetit
“Janë gjetur dy gjurmë brenda, por nuk përputhen me ata që janë marrë në pyetje deri më tani”
Në seancë u lexua edhe biseda e të akuzuarit Alil Demiri me një person të panjohur që është ndjekur me masa të posaçme hetimore.
Biseda e Alil Demirit
“S: Mos të dhemb lukthi? Demiri: Më ka goditur yndyra në kokë. S: Ke ngrënë diçka? Demiri: Kofsha e pulës qëlloi me yndyrë dhe e lash në gjysmë”.
Pikërisht kjo bisedë ishte pjesë e aktvendimit të parë për “Monstrën”. Atëherë, prokurori sqaronte se bëhet fjalë për mesazh të koduar- kofsha e pulës ka qenë njëri prej djemve, të cilin Demiri është dashur ta vrasë, por nuk ka mundur ta shkallmoj. Për rastin “Monstra” duhet të lexohen rreth 133 mijë transkripte nga mesazhet dhe bisedat. Gjykimi për këtë rast nisi nga e para, pasi vitin e kaluar, Gjykata Supreme shfuqizoi aktvendimet dhe rastin e mori Prokuroria Speciale. Tani lënda sërish është në Prokurorinë e rregullt, por e përfaqësojnë ish prokurorët specialë, Fatime Fetai dhe Gavril Bubevski.