Gjashtë shtete anëtare të NATO-s që janë fqinjë të Rusisë kanë rënë dakord të ndërtojnë një “mur drone” për të mbrojtur kufijtë e tyre kundër “provokimeve”, tha mbrëmë qeveria lituaneze.
“Është një gjë krejt e re, një mur dronësh që shtrihen nga Norvegjia në Poloni. Qëllimi është përdorimi i dronëve dhe teknologjive të tjera për të mbrojtur kufijtë tanë”, tha ministrja e Brendshme e Lituanisë, Agne Bilotaite. Këtë ajo e deklaroi pas bisedimeve me kolegë nga vendet e tjera baltike, Estonia dhe Letonia, si dhe Finlanda, Norvegjia dhe Polonia.
“Nuk është vetëm infrastruktura fizike, sistemet e mbikëqyrjes, por edhe dronët dhe teknologjitë e tjera që do të na lejojnë të mbrohemi nga provokimet nga vendet armiqësore dhe të parandalojmë kontrabandën”, shtoi ajo.
Përveç vendosjes së dronëve për të monitoruar kufirin, ato vende do të përdorin sisteme për të kapur dronët e armikut.
Ministri lituanez nuk përmendi një afat kohor për projektin, i cili u miratua për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme të sigurisë në rajon mes luftës së Rusisë në Ukrainë.