Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë betimit të saj në Kuvend si Presidente, nuk e përdori emrin zyrtar të shtetit “Republika e Maqedonisë së Veriut”, siç e lexoi paraprakisht kryeparlamentari gjatë ceremonisë. Ajo madje nuk e përdori as fjalën Republikë, por tha vetëm Maqedoni.
Po ta përdorte vetëm frazën “Republika e Maqedonisë”, do ta shkelte Kushtetutën e vendit dhe Marrëveshjen e Prespës, por me mospërdorimin as të fjalës Republikë, Siljanovska ka shkuar një hap më tej, duke hapur diskutimin nëse me këtë po shfaqë pretendime territoriale, shkruan TV21.
Kjo për shkak se emri Maqedoni, në kuptimin antik, përfshin një sipërfaqe më të madhe territoriale të Europës Jugore, që në kufijtë modernë, veç Maqedonisë së Veriut, prek edhe shtete të tjera të rajonit si Greqia, Shqipëria dhe Bullgaria.