B Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu keqardhje për vendimin negativ nga Samiti i shefave të shteteve të Unionit Europian për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, njofton Zhurnal.
“Kur flasim për hapjen e bisedimeve, për fat të keq, nuk mundëm të arrijmë marrëveshje rreth Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Më vjen keq për këtë vendim. Qëndrimi i Gjermanisë ishte t’i fillojë bisedimet nëse përmbushen disa kushte, por nuk arritëm qëndrim të përbashkët”, tha Merkel.
Ajo shtoi se për këtë çështje bisedimet do të vazhdojnë përsëri vitin e ardhshëm, para samitit në Zagreb.
Në pyetjen pse Gjermania ka qenë kundër ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë, kancelarja tha se nuk ka patur shumë shtete të cilat kanë mbështetur një gjë të tillë.
“Të dyja vendet bënë hapa të mëdha. Procesi i vetingut në Shqipëri po zgjatë tani një kohë të gjatë, ndërsa Maqedonia bëri marrëveshje të rëndësishme për ndryshim të emrit. Për ne do të ishte më e mençur të mbështesim të dyja vendet së bashku. Kur e shihni hartën, e kuptoni sa e rëndësishme është të dyja vendet duhet të jenë pjesë e BE-së”, tha Merkel