Ka nisur konfiskimi i banesës dhe restorantit të kryeterroristit, Milan Radojiçiq.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Gazetës Express se konfiskimi është ende në proces.
“Ju informojmë se zyrtaret e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë se sekuestruar dhe te konfiskuar-AAPSK ne bashkepunim me Policine e Kosoves kanë filluar ekzekutimin e Urdhrit Ndalues Përfundimtare te Përkohshëm për administrimin e pasurisë se specifikuar tek Administruesi i Pasurisë te nxjerre nga Gjykata Themelore – Departamenti Special ne Prishtine te Vërtetuar me Aktvendim nga Gjykata e Apelit e Kosoves – Departamenti Special. Agjencia ka filluar evidentimin e pasurive te përshkruara ne Urdhrit te lartcekur ndër to edhe Vila tek Ujmani Ne Zubin Potok me objekte përcjellëse, ne pajtim me Ligjin për Administrimin e Pasurisë se Sekuestruar dhe te Konfiskuar dhe Urdhrin e Gjykatës. Sot po konfiskohet edhe Restorant Grey dhe një banesë në katin e 6 të asaj ndërtese”, tha ai.
Dje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ka nisur zbatimi i urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin “Banjska”.
Ajo bëri të ditur se Agjencia e Administrimit të Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar ka nisur identifikimin e pasurive të përmendura në urdhër, duke përfshirë edhe vilën që konsiderohet të ketë qenë e kryeterroristit Milan Radojçiq.
“Ministria e Drejtësisë, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska. Agjencia ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në Urdhrin e sipërpërmendur, duke përfshirë edhe vilën e cila konsiderohej të ketë qenë e kryekriminelit, Milan Radojiçiq tek Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera, në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe me Urdhrin e Gjykatës”, ka shkruar dje Haxhiu në Facebook.