Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit sot përmes një konference për shtyp ka hedhur dyshime për krim të organizuar në sjelljen e vendimit nga ana e Gjykatës së Tetovës e cila ka vendosur në favor të kërkesës së Aleancës për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës që Sela të jetë kryetar i partisë.
Ndërkohë Ziadin Sela, poashtu në një konferencë për media tha se se ky ishte një vendim i shumëpritur. Sipas tij ajo që ndodhi dje, ndërpreu qëllimet dashakeqe, të cilët sipas tij, kishin për qëllim ta rrënuar këtë strukturë politike.
“Secili ka të drejtë ta ankimojë vendimin, por në vendim thuhet se hyn në fuqi kërkesa e Kongresit që Ziadin Sela të përfaqësojë partinë. Pra nuk bëhet fjalë për mosmarrëveshje mes meje dhe Taravarit, por për vendimin e Kongresit, që është dokumentuar me dokumente dhe nënshkrime. Tani e drejta e tij është të ankojë vendimin e Gjykatës. Ai duhet të ishte i kujdesshëm jo vetëm tani që të mos e keqpërdorë vulën e partisë dhe nënshkrimin e tij, kur ende kishte vendim Kongresi. Ai nuk i shfaqi, për fat të keq qëndrimet e tij as në Kongresin e partisë dhe në Komitetin qendror, por siç duket nga deklaratat që japin, ai është pjesë e hallkës kundër ASh-së që në qershor 2023”, tha Sela.
Nga ASH-ja krahu i Taravarit theksuan se ky lajm doli në opinion pa u informuar përfaqësuesi ligjor i ASH-së.
“Grupacioni i pakënaqur që përfundoi te BDI përdori të gjitha mekanizmat e pushtetit për të ndërruar katër gjyqtarë deri në momentin që arritën të gjejnë gjyqtarin e tyre të preferuar që u kryen punë padrejtësisht. Kjo parregullsi dhe ky paradoks i informimit na e vërteton atë që sistemi gjyqësor në RMV është i kapur nga politikanë të papërgjegjshëm”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit.