Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e quajti akt kriminal gjuajtjen me armë gjatë ditës së djeshme në Haraçinë, ku mbetën të plagosur dy persona, shoqërues të kryetarit të komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, shkruan TV21.
“Është akt kriminal, nuk besoj që ka prapavijë politike, organet e drejtësisë e të hetuesisë të bëjnë punën e vetë që u takon”, tha Ahmeti.
I pyetur për ngatërresat që kanë pasur ish kryetari i komunës Brahim Ajvazi me kryetarin aktual Ridvan Ibrahimi, Ahmeti tha se është bërë e pamundura që këta dy të pajtohen.
“Sigurisht që është biseduar më herët, për t’i tejkaluar sa i takon dallimeve mes z.Ajvazi dhe kryetarit të komunës, por ne kemi bërë të pamundurën, por ja që nuk ka funksionuar e gjithë ajo që e kemi bërë”, theksoi Ahmeti.
Për kryetarin e komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, nuk është hera e parë të përfshihet në një incident të këtillë. Një vit më parë Ibrahimi dhe personeli komunal morën kërcënime me jetë.
“Jo vetëm që mua personalisht si kryetar komune më kërcënojnë por edhe tërë administratën komunale. Andaj, mu për këtë shkak, nga dita e martë prej kur ndodhi edhe incidenti i fundit, deri në ditët në vijim, administrata komunale nuk do të jetë në funksion, për shkak të kërcënimeve që vijnë nga persona të caktuar që shkaktojnë incidente”, pati thënë Ibrahimi më 25 maj 2023.