Nga BDI thonë se VMRO-DPMNE-ja nëpërmjet ministrit teknik në Ministrinë e Punës dhe Politkës Sociale, po rikthen politikat diskriminuese ndaj komuniteteve, e posaçërisht ndaj shqiptarëve. Nga kjo parti demantojnë ministrin i cili pretendon se në Qendrat Sociale në mënyrë jo ligjore po bëhet shpërndarja e ndihmave sociale, thonë se fitimi i të drejtës për të qenë shfrytëzues i secilës prej pakove sociale kalon filtrin e programit elektronik që quhet “Spil programi”, që sipas tyre nuk po punon si duhet kohëve të fundit, e për çka e fajësojnë ministrin.
“Ditët e fundit Sistemi Spil po has në probleme, ndryshimi i të dhënave të qytetarëve ndryshon nga momenti në moment, dhe e gjitha kjo ndodh 1 muaj para zgjedhjeve. Pse ndodh pikërisht tani dhe kush e inskenon këtë situatë? Presioni nëpërmjet inspektoratit dhe emailave nga ministria përkatëse po pengon punën e punëtorëve social. Kjo formë e veprimit tregon qartë që VMRO-DPMNE nuk zgjedh formë për të treguar muskujt, madje nuk llogarit as shtresën më të rrezikuara sociale. Ftojmë ministrin e punës dhe politikës sociale që deri në azhurnimin e saktë të të dhënave të tërhiqet nga ky vendim, për ndryshe do të mund të konstatojmë se veprimi është i qëllimshëm dhe tendencioz pikërisht në prag të fillimit të fushatës zgjedhore”, thonë nga BDI-Gostivar.