Shumica parlamentare me 62 vota “për” në mesnatë votoi për shkarkimin e dy ministrave të Aleancës për shqiptarët, ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe atij të Shoqërisë Informatike, Azir Aliu.
“Do ta marrë veturën e komshiut, do të shkojë në Tetovë dhe në Tetovë do t’u tregojë këtyre BDI-stave nga Aleanca për shqiptarët – shihni, për të pasur një parti, mjafton të keni një llogari në Fejsbuk, ku llogaria do të quhet Aleanca për shqiptarët. Dhe këta të mjerë, u besojnë njerëzve të tillë dhe mendojnë se kanë parti sepse kanë admin-qasje në llogarinë Aleanca për Shqiptarët, dhe jo aq. Artani vazhdon te flasë me ta dhe u thotë “nëse doni t’i mposhtim këta që janë Aleanca, hapni një folder që do e emërtoni “Duistat në Aleancë” dhe aty do të vendosim… me shumë siguri më 8 maj kur të shohin se do humbin, Artani do t’u thotë – tani vetëm riemërtoje folderin vetëm fshije pjesën e parë…”- deklaroi Azir Aliu, ish-ministër i MSHIA.
“Ja, kjo është depozita ime në shëndetësi. Punova me ndershmëri dhe me përkushtim dhe mesa duket kjo nuk mjafton. Përderisa nuk çrrënjosen interesat politike dhe personale, ky vend nuk do të përparojë. Ia lë ndërgjegjes suaj të ndaleni për dy minuta dhe të mendoni para se të merrni një vendim për ardhmërinë e një ministri të cilin të gjithë qytetarët dhe pacientët e vendit e njohin si person që jep gjithçka nga vetvetja për më të mirën e të gjithëve. A kemi bërë mjaft, jo! Gjithmonë mundet akoma më mirë, por kaq arritëm për 11 muaj.”- deklaroi Fatmir Mexhiti, ish-ministër i Shëndetësisë.
Opozita nuk mori pjesë në votim. Por, në seancën parlamentare mund të thuhet se as përqendrimi i deputetëve nuk ishte aq i pranishëm!
“Të mos keqkuptohem, i shoh dy ministrat që shkarkohen dhe do t’u them, po të ishit më të mençur një vit më parë dhe nuk e mbështetnit këtë Qeveri, ndoshta dëshirat tuaja të sinqerta për të marrë detyrën dhe për të arritur ndonjë rezultat, do të kishin sukses, ndoshta nëse fronti opozitar në Kuvend mundte ta rrëzojë atë Qeveri. Fatkeqësisht, do të qëndroni dhe do të prisni kohëra më të mira dhe njerëz të tjerë të vijnë në pushtet. VMRO-DPMNE dhe LSDM të dalin në opozitë dhe të fillojmë me realizimin e veprave, gjërave dhe pritjeve që qytetarët e Republikës së Maqedonisë i duan dhe i kërkojnë.”- deklaroi Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
Kryeministri teknik, Xhaferi për ministra të rinj i propozoi Ilir Demirin në shëndetësi dhe Naim Bajramin në MShIA. Ai gjatë seancës duhej të sqarohej me opozitën.
“Kam të drejtë të identifikohem me Ajnshtajnin. Para 80 vjetëve ndonjë person me emrin Talat ka kontribuuar që ne sot ta kemi këtë Ajnshtajn i cili gjithashtu ka mundur të përfundojë diku në Trebelinkë. Falë personit me emrin Talat para 80 vjetëve, ai ka arritur të qëndrojë dhe të jetë ajo që do të thotë – Ajnshtajn me tru dhe arsye. E ju vazhdoni ashtu, nuk e di ku do të përfundoni kështu.”- tha Talat Xhaferi, kryeministër.
Votimi i ministrave të rinj është caktuar për të hënën.