TEORIA E TË SHKATHTËVE
Nga Viktor Hygo
(E zbatuar pikë për pikë në Shqipëri prej vitit 1990 dhe që nuk i dihet fundi)
Marë prej romani “Të mjerët”,Tiranë 1983, vëll.2, f.470-473
“Me t’u qorollisur revolucioni, si kali, të shkathtit vrapojnë t’i xjerrin patkonjtë. Të shkathtit në shkullin tonë, (por edhe në këtë që ne jetojmë aktualisht, D.G), i kanë ngjitur vetvetes emrin burra shteti; kështu që kjo fjalë, burrë shteti, është katandisur pak a shumë në një fjalë argoje (zhargon). Dhe, në të vërtetë, nuk duhet ta harrojmë se atje ku ka vetëm shkathtësi, do të ketë domosdo edhe shpirtvogëlsi.
Të thuash të shkathtit, është sikur të thuash: gjysmakët.
Kur thua burrat e shtetit, është njësoj sikur thuash: tradhëtarët.
Pra, po t’u zësh besë të shkathtëve, do të thotë sikur revolucionet janë damarë gjaku të prerë; duhet që damarët të lidhen shpejt e shpejt.
E drejta e shpallur me shumë madhështi tund botën. Kështu pra, me t’u afirmuar njëherë e drejta, duhet forcuar shteti. Me t’u siguruar e drejta, duhet menduar për pushtetin.
Këtu të urtit nuk ndahen akoma prej të shkathëtve, po fillojnë të mos kenë më besim tek ata.
Pushteti, mirë. Por, së pari, çështë pushteti? Së dyti, nga vjen pushteti?
Të shkathtit duken sikur nuk e dëgjojnë kundërshtimin, që murmuritet, dhe vazhdojnë manovrën e tyre.
Sipas këtyre politikanëve, që u pjell mendja t’u vënë gënjeshtrave që sjellin përfitime një maskë domosdoshmërie, nevoja e parë e një populli pas një revolucioni, kur ky popull bën pjesë në kontinent monarkik, është të sigurojë një dinasti. Në këtë mënyrë, thonë ata, populli mund të ketë paqe pas revolucionit që ka bërë; domethënë, të ketë kohë për të lidhur plagët dhe për të meremetuar shtëpinë e tij.
Dinastia fsheh skelat e ndërtimit dhe maskon ambulancën.
Por, nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh një dinasti.
Nga e keqja, i pari njeri i zgjuar, apo edhe i pari që sjell rasti, mjafton për ta bërë mbret. Në rastin e parë, kemi Bonopartin, dhe, në të dytin, Agustin Iturbidin – (politikan meksikan reaksionar, një nga shtypësit e kryengritjeve të indasve)
Por familja e parë që na del përpara nuk mjafton për të bërë një dinasti. Është e domosdoshme që të ketë një farë vjetërsie në një racë, dhe rrudha e shekujve nuk mund të shpiket aty për aty.
Në qoftë se vihemi në pozitën e “burrave të shtetit”, me të gjitha rezervat, s’do mend, pas një revolucioni, cilat janë cilësitë e një mbreti që del nga ky revolucion? Mund të jetë dhe është e dobishme që ai të jetë revolucionar, domethënë pjesmarrës në këtë revolucion, që duhet të ketë vënë dorë në këtë revolucion, që të jetë kompromentuar ose të jetë shquar në këtë revolucion, që të ketë prekur sopatën ose të ketë përdorur shpatën.
Cilat janë cilësitë e një dinastie?
Ajo duhet të jetë kombëtare, domethënë revolucionare në vija të trasha, jo me veprime, por duke pranuar idera. Ajo duhet të ngjizet me të kaluarën dhe të jetë historike, të ngjizet me të ardhmen dhe të jetë simpatike.
E gjithë kjo shpjegon se përse revolucionet, e para gjë që të kënaqen duhet të gjejnë një njeri. Kromuellin ose Napoleonin: dhe përse, të dytat, duan medoemos të gjejnë një familje?
Shtëpitë mbretërore u përngjasin atyre fiqve të Indit, ku çdo degëz, duke u përkulur gjer në tokë, lëshon aty rrënjë dhe bëhet fik më vete. Secila degë mund të bëhet një dinasti. Me të vetmin kusht që të përkulet gjer te populli.
E tillë është teoria e të shkathtëve.
Ja pra kush është art i madh: t’i japësh suksesit pak tingullin e një katastrofe, me qëllim që ata që përfitojnë prej tij njëkohësisht duhet edhe të dridhen; të kripësh me frikë një veprim që ka marrë fund; të zgjatësh urën e kalimit deri në ngadalësimin e përparimit; ta venitësh këtë agim: t’i shpallësh dhe t’i krasitësh ashpërsitë e entusiazmit; t’i presësh qoshet dhe thonjtë; ta veshësh me pambuk triumfin; ta mbulosh drejtësinë me gunë: ta mbështjellësh viganin popull me fanellë dhe ta vësh shpejt e shpejt në gjumë; t’i vësh pehriz këtij shëndeti të tepëruar; ta trajtosh Herkulin si një të sëmurë në shërim e sipër; ta mbytësh ngjarjen me marifet; t’u japësh mëndjeve të etura për një ideal, këtë nektar të holluar me ujë; të marrësh masa për t’u mbrojtur nga suksesi i tepërt; ta stolisësh revolucionin me një abazhur përsipër.
Kur të shkathtit e kryejnë punën e tyre, mëkati i madh i zgjidhjes që bën del sheshit. E gjithë kjo është jashtë së drejtës absolute. E drejta absolute bërtet: “Unë protestoj!”, pastaj, gjë e frikshme, kthehet e futet përsëri në errësirë.
Kush e ndal revolucionin në mes të përpjetës?
Borgjezia.
Pse?
Sepse borgjezia është interesi që ka arritur të kënaqet. Dje ajo ishte oreksi, sot është nginjja, nesër do të jetë velja.” – Viktor Hygo
ARRITJET E TEORISË SË TË SHKATHTËVE TEK NE,
PAS ÇDO ZGJEDHJE PARLAMENTARE
- 1991-shi krasiti LANÇ-in; sukseseve të 45 viteve u dha tingullin e një katastrofe; nxorri ligjin 7501–duke mos njohur Reformën Agrare dhe ish-pronarët, gjë që për çdo pronë u mbivendosën disa pronarë, ku secili thërret: “Kjo është e imja!”, shkak për vëllavrasje e pambarim; stolisi demon-kracinë dhe bekoi varfërinë.
- 1992-shi mallkoi LANÇ-in; bëri një biçim revolucioni sipas teorisë “çdo gjë në zero”, i maskuar me slloganin manipulues: ”Ta bëjmë Shqipërinë se Evropa!”; fshati u dynd në qytet; ngriti piramidat financiare; eleminoi ushtrinë – armatimi i saj u dergua për skrap; u plaçkit pasuria e prodhuar 45 vjet; u shkri industria; anarshi totale; përpjekje përdinasti; u shpall Kanuni Kushtetutë; ndezi urrejtjen krahinore për të shkuar drejt luftës civile Veri–Jug (1997); ideal u shpall paraja.
- 1997-ta vijoi revolucioni “çdo gjë në zero”, duke e kripur me frikë; nepotizëm dhe militantizëm në privatizimin e pasurisisë shtetërore dhe ushtarake që kish mbetur ende pa u grabitur; u shit flota detare ushtarake e civile, ajo ajrore si dhe arma e tankeve; administratë mere-mere; korrupsion; veniti drejtësinë, bekoi varfërinë.
- 2005-sa u përsërit 1992-shi; garë në pasurim politikanësh; demon-kraci e holluar me ujë; administratë analfabetësh me diploma universitare; vihet dorë në arkiva; u hodhën bazat e kanabizimit të ekonomisë; filloi konçensionimi i punës dhe i shërbimeve; pasuria kombëtare jepej me konçesione; u hodh parrulla: “secili për vetë, zoti për të gjithë”; u nxit emigracioni; u venit edhe më shumë drejtësia.
- 2013-ta vijon nepotizmi i 1997 dhe i 2005; vihen në pikëpyetje kufijt detarë; lind patronazhizmi; pasurim pushtetarësh; varfëria përfshin shumicën e popullit; pushtet autokratik; sterilizimi i shëndetësisë i jepet një tregëtari privat; anarshi që mbyt mospërparimin me marifet, duke e vënë popullin në gjumë; pastrim parash të pista; vijoi dhënia me konçesion e pasurisë kombëtare; themelohen PPP(Partneritetit Publik Privat); administratë analfabete por me diploma universitare, si dhe me dyer të mbyllura; i vetmi prodhim industrialo-bujqësor dhe tregëti e jashtme dhe e brendshme: kanabizimi; thirrje për “Ballkan i Hapur”- për kalimin e Republikës në varësi ekonomike të Serbisë; “reforma në drejtësi” – drejtësi e mbuluar me gunë; emigracion familjar masiv; Spitalet Univesitare kthehen në Spitale Rajonale!; stimulohen shëndetësia dhe arsimimi privat; shtohen pleq, varre dhe popuj të tjerë; gjithçka maskuar me slloganin manipulues: “Shqipëria që duam”.
* * *
E tillë është sot Shqipëria jonë e vjetër, ajo “Shqipëria si Evropa” dhe ajo “Shqipëria që duam”, sikundër na premtuan partitë. Shqipërinë “demon-kratike” e kanë mbytur zënkat, inatet e politikanëve dhe pavendosmëritë, duke shkuar kuturu, ku ta shpien këmbët. Ka 30 vjet që Shqipëria jonë është pa mend, duke mos ditur se si t’i rregulloi punët e veta, qoftë ato materiale, qoftë ato morale, dhe aq më pak se si t’i fshijë më mirë plehrat sesa shpërdorimet. Gjithçka bëhet pengesë, gjithçka bëhet çështje. Dhe nuk pranon të bëjë asnjë kthesë. Populli nuk orientohet dot; lart s’e merr vesh qeni të zotin, poshtë s’dinë nga t’ia mbajnë. Nami i keq që kemi marrë në Evropë është bërë i llahtarshëm. Shqiptarët e moshës 55 vjeç e lart, janë kthyer në nostalgjikë të periudhës 1945-1990, duke folur me vete: “Ishim më mirë kur ishim keq!”; janë tronditjet e forta që flasin shpesh me zë të lartë. Vetëm vështrimi përmes popullit shquan të vërtetën. Faktet është vështirë që t’i mbulosh e t’i shtrëmbërosh; ato janë shumë kryeneçe.
Përzgjodhi Dilaver Goxhaj