2.8 C
Tetovo
E premte, 15 Nëntor, 2024
BallinaLajmeTaravari mund të përfundojë si Lul Basha, pa parti!

Taravari mund të përfundojë si Lul Basha, pa parti!

Lul Basha deshi ta anashkalojë Berishën dhe mbeti vetëm me “PD-në e vulës”(loja cic-mic e shkallëve të ndryshime gjyqësore), njësoj si bëri edhe Taravari, duke dashur ta anashkalojë Kuvendin e ASH-së, në krye të të cilit është ish-themeluesi, Sela, dhe mund të mbetet vetëm me vulat(edhe pse kjo do të shihet).

Pas kakofonisë që vjen nga Aleanca për Shqiptarët, kur gjithkush shkruan kumtesa, kur ka qëndrime kundërthënëse, nuk është e qartë kush është zë legjitim. Dikush thirret në emër të Kryesisë, dikush në emër të Kuvendit, dikush në emër personal, dikush në emër të degës ose anëtarësisë. Dje kishte kërkesë drejtuar kryeministrit Talat Xhaferi për shkarkimin e dy ministrave, që dukej e logjikshme të vinte nga organi në krye të të cilit është kryetari i partisë, por nga deklaratat e dy ministrave të përmendur, krijohet konfuzion. Pse? Sepse nëse është logjikshme që partia që kalon në opozitë edhe t’i tërheqë kuadrot nga Qeveria, duket e palogjikshme kur partia kërkon, dikush të ankohet se dikush tjetër don t’i shkarkojë!
Dhe pastaj vjen kjo deklaratë e njërit nga ministrat(Fatmir Mexhtit) që thotë “Aleanca për Shqiptarët është një dhe e vetme. Aleanca për Shqiptarët i ka organet e saja dhe e ka një dhe të vetmin legjitim – kryetarin Arben Taravarin. Vulat e partisë normal se janë te kryetari i partisë dhe shumica e nënshkrimeve të kuvendarëve”, që në publik vetëm të thellohen paqartësitë.
Kjo që po ndodh në Aleancën për Shqiptarët në rolin kryesor Arben Taravari, për shumëçka i ngjan Partisë Demokratike të Shqipërisë. Sepse, që tash në lojë janë përplasja e organeve partiake(kush kontrollon Kryesinë, degët, Kuvendin…) dhe vulat(sikur poseduesi fizik i vulave vetvetiu ka legjitimitet të thirret në emër të partisë!)…dhe që të qartësohen punët, e që të vazhdohet agonia, sigurisht do të shërbejë edhe Kuvendi i ASH-së i konvokuar për këtë të shtune, ku sigurisht do të zhvillohet i njëjti skenar si në rastin e PD-së, pas çkahit fjalën kryesore do t ketë gjyqi.
Mirëpo, duhet thënë se në rastin e ASH-së nuk punon koha, sepse në prag janë zgjedhjet, ku nuk dihet si do të shkojë kjo parti. Përplasja titanike midis dy figurave kyç, Arben Taravarit, kryetar aktual, dhe Zijadin Selës, ish-themelues dhe kryetar dhe aktualisht kryetar i Kuvendit, duhet ta determinojë fatin e partisë, por ashpërsia e konfliktit që në start, nuk lë hapësirë për optimizëm për pajtim.
Kur para disa vitesh në Aleancën për Shqiptarët, u tërhoq Zijadin Sela, në krye të saj erdhi dr.Arben Taravari. Shumëkush fitoi përshtypjen se ky i fundit mezi ka pritur që të largohet themeluesi i kësaj partie që ta realizojë ambicien që të mos jetë përjetësisht nr.2 në parti. Dukej sikur ndërrimi u bë fare natyrshëm, por ajo që pasoi, nuk dukej fort natyrshëm. Nga ambicia e madhe për ta futur në pushtet ASH-në, dr.Taravari nuk nguroi të bashkonte forcat me subjekte si VMRO-DPMNE dhe E Majta e Apasievit dhe kur kjo nuk i shkoi përdore, mori një hap pragmatik në stilin kur nuk mund t’i mundësh, bashkëngjitju. Dhe e zuri vendin e Alternativës Demokratike në Qeveri, me pozicione bukur të mira nëpër ministri e drejtori.
Tash disa muaj para zgjedhjeve, Taravari bën hapin tjetër, të kundërt me atë të mëparshëm. Pra, edhe një hap në vargun e lëvizjeve herë me opozitën, herë me pushtetin. Tash edhe më interesant: i pranishëm në garniturën në pushtet, në zgjedhje me opozitën. Një gjendje hermafrodite, siç do ta quanin gjenetikët!
Çka tash?
A është vënë në veprim një sindrom që mund të quhet “sindromi i trashëgimtarit? Ka pasur disa raste si në Shqipëri, si në Maqedoni. U tërhoq Lubisha Georgievski dhe sugjeroi që në vend të tij të vijë Gruevki. Gruevski pastaj bëri çmos që të largojë nga afërsia e tij ish-kuadrot e Georgievskit! Hristijan Mickoskin praktisht e la Gruevski trashëgimtar që “t’ia ruajë partinë” dhe t’ia mbrojë interesat, por vitin që shkoi plasi sherri midis tyre. Edhe Lul Basha, i zgjedhur në principin “një anëtar, një votë”, aty erdhi me ndihmën e pararendësit të tij, Sali Berisha, por pastaj deshi ta eliminojë politikisht krijuesin e tij! Edhe Taravari, në një farë dore, kishte këtë miratim indidrekt nga ish-themeluesi i ASH-së, Zijadin Sela. Por, si në rastin e Lul Bashës, edhe te Taravari, hija e liderit historik nuk mund të fshihet, ndaj dhe ndikimet e tyre, sidomos nëse bazohen në statutin e partisë, nuk mund anashkalohen lehtë. Lul Basha deshi ta anashkalojë Berishën dhe mbeti vetëm me “PD-në e vulës”(loja cic-mic e shkallëve të ndryshime gjyqësore), njësoj si bëri edhe Taravari, duke dashur ta anashkalojë Kuvendin e ASH-së, në krye të të cilit është ish-themeluesi, Sela, dhe mund të mbetet vetëm me vulat(edhe pse kjo do të shihet).
Ndoshta Taravari mendoi për të mirën e partisë nëse shkon me opozitën shqiptare, por ja, këtë e bëri në mënyrën që shkaktoi përçarje, e cila asnjë subjekti nuk i sjell dobi para zgjedhjeve. Në vend se t’i ruash vetullat, kështu vetëm i qet sytë, thotë popullii./Analizë e portalit indeks.mk/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments