Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca sot janë takuar me krerët politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA e i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.
Në takim, katër politikanët nga Maqedonia e Veriut shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut.
Tutje, bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
”Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje. Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”, bëhet e ditur në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.
Në takim mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku./21Media