Këto janë katër fëmijë të cilët shumicën e kohës e kalonin në rrugët e Shkupit para se të bëheshin pjesë e qendrës së kujdesit ditor të fëmijëve në rrezik në Shuto Orizari.
Në qendrën “Rruga e Shpresës” ka 24 fëmijë të cilët para se të merreshin nën kujdes në këtë qendër, shtrinin duart në rrugë dhe kërkonin lëmoshë nga qytetaret.
“Me fëmijët këtu punojmë në përmirësimin e aftësive jetësore, uljen e rrezikut dhe gjithashtu e stimulojmë prezencën në procesin arsimor dhe që të qëndrojnë në këtë proces. Këtu fëmijëve u ndihmojmë në zhvillimin e aftësive sociale dhe u ndihmojmë të kuptojnë se sa është i rëndësishëm arsimimi po ashtu këtu kanë edhe ushqim dhe lojëra që të mund të shoqërohen”, tha Merima Destanova, koordinatore e Organizatës ” Rruga e shpresës”.
Këto fëmijë shpresat thuajse i kishin të humbura për të ardhmen e tyre por sot përveç ushqimit këto 24 fëmijë edukohen dhe i janë rikthyer edhe shkollës dhe kanë filluar risocializimin e tyre.
“Sipas ligjit dhe rregullores ne kemi kapacitet vetëm për 24 fëmijë, dhe të gjithë këto fëmije kanë vendim nga qendra sociale, me të cilin vendim mund të qëndrojnë këtu, realisht ka më shumë fëmijë të cilët janë në rrugë dhe kërkojnë lëmoshë por sipas ligjit dhe kushteve që i plotësojmë vetëm 24 mund të qëndrojnë këtu”, shtoi Merima Destanova, koordinatore e Organizatës ” Rruga e shpresës”.
Sipas statistikave që posedon qendra “Rruga e Shpresës” mbi 300 fëmijë rom kërkojnë lëmoshë neper rrugët e Shkupit të cilët edhe keqpërdoren në forma të ndryshme nga tutorët e tyre. Ndërsa në të gjithë shtetin mbi 2,000 fëmijë të moshave të ndryshme e kalojnë ditën në rrugë dukë kërkuar lëmoshë.