Marina amerikane ka njoftuar të dielën se i ka shkatërruar disa anije të lëvizjes rebele Huthi, të cilat po tentonin ta rrëmbenin një anije mallrash në Detin e Kuq. Katër anije nga zonat e kontrolluara nga Huthit në Jemen kanë shtënë ndaj anijes Maersk Hangzhou dhe iu afruan asaj disa metra pranë, ka bërë të ditur ushtria amerikane.
Helikopterët nga luftanija amerikane, që ndodhej në afërsi, u përgjigjën ndaj një thirrjeje për ndihmë dhe pasi u përballën me të shtëna, ata i fundosën ato në “vetëmbrojtje”. Rebelët e Huthit janë duke i sulmuar anijet në Detin e Kuq prej nëntorit.
Rebelët Huthi, të cilët mbështeten nga Irani, thonë se sulmet në ngushticën jetike të transportit të mallrave përmes Detit të Kuq po bëhen ndaj anijeve të ndërlidhura me Izraelin, si përgjigje ndaj luftës në Rripin e Gazës.