Shoqata jo qeveritare ” Instituti për Politika Publike (IPP) Arbën Xhaferi “ka publikuar rezultatet e Barometrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, një sondazh tanimë tradicional i cili mat opinionin publik shqiptar në vend në temat më aktuale politike.
Barometri shqiptar i IPP Arbën Xhaferi është realizuar në dhjetor dhe ai shikon në mënyrë specifike perceptimet e shqiptarëve për mbi aleancat strategjike të Maqedonisë së Veriut, kapacitetin e qeverisë për të arritur progres në anëtarësimin në BE, gjasat për ndryshimet kushtetuese dhe statusin kushtetues të gjuhës shqipe. Përveç kësaj, sondazhi mat disponimin e shqiptarëve për dalje në zgjedhje dhe për kandidaturat në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, besueshmërinë e liderëve politikë si dhe disponimin e votueseve për zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024.
Mesazhet kryesore
Kur pyeten se kush është aleati kryesor strategjik i Maqedonisë së Veriut, pjesa më e madhe e të anketuarve identifikoijnë ShBA-të (36.3%), pasuar nga BE-ja (34.5%). Turqia renditet e treta, e zgjedhur nga 19.2% e të anketuarve. Shqiptarët nuk e shohin Rusinë (1.1%) dhe Kinën (0.1%) si aleate të Maqedonisë së Veriut.
Sondazhi konstatoi gjithashtu pikëpamje jo aq realiste për anëtarësimin në BE, me një shumicë relative e të anketuarve (42%) që beson se vendi ka kapacitet për t’iu bashkuar BE-së në 10 vitet e ardhshme. Pak më shumë se një e treta e shqiptarëve (34.6%) besojnë se Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitet për t’u anëtarësuar në BE në dekadën e ardhshme, ndërsa 23.4% nuk prononcohen.
Të pyetur nëse besojnë se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, shumica relative e shqiptarëve (43.3%) shfaqen optimistë dhe përgjigjen pozitivisht. Në anën më pesimiste janë 35.6% e të anketuarëve të cilët besojnë se amendamentet kushtetuese nuk kalojnë në këtë legjilsaturë. Pa opinion të qartë në këtë pyetje janë 21.1%.
Sa i përket gjuhëve zyrtare të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese e shqiptarëve (81.1%) besojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të çojnë në një status të avancuar për gjuhën shqipe, e cila duhet të përkufizohet si gjuhë zyrtare, në të njëjtin nivel me maqedonishten. Vetëm 1.4% e të anketuarve besojnë se duhet të ruhet përkufizimi aktual, sipas të cilit gjuha shqipe definohet si gjuhë zyrtare e folur nga së paku 20% e popullsisë. 17.5% nuk prononcohen në këtë pyetje.
Kur bëhet fjalë për opinionin publik rreth liderëve partiakë, Arben Taravari (ASh) për herë të parë gëzon besueshmërinë më të lartë, me 50.3% të opinioneve pozitive dhe besueshmëri neto prej +16.1%. Bilall Kasami (Besa) është i dyti, me 48.6% të opinioneve pozitive dhe besueshmëri neto prej +16.7% dhe. Ali Ahmeti (BDI), për herë të parë nuk i prinë kësaj liste, duke u radhitur i treti me besueshmëri neto prej +8.4% dhe vetëm 44.2 % të opinioneve pozitive. Izet Mexhiti (Lëvizja Demokraztike) është lideri i katërt më i popullarizuar me besueshmëri neto prej +2.2% dhe 39.2%% të opinioneve pozitive. Krejt në fund, vjen Afrim Gashi (Alternativa), me besueshmëri neto prej +1.3% dhe vetëm 39.1% të opinioneve pozitive.
Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin javën e ardhshme, 45.1% e të anketuarve do të dilnin për të votuar, ndërsa 11.7% përgjigjen me ndoshta po. Të sigurt se do të abstenon janë 22.5% e të anketuarve, ndërsa me mëdyshje negative janë 2.1% 18.6% e të anketuarve nuk janë të përcaktuar ose nuk duan të përgjigjen.
Të pyetur për cilën kandidat do të votonin në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit 2024, shumica dërmuese e të anketuarve (68.7%) do të përkrahnin një kandidat shqiptar. Edhe pse dytë në niveli margjinale, kandidati i VMRO-DPMNE-së me 0.5%, do të gëzonte përkrahje më të madhe se ai i SDSM)-së (0.3%). 16.4% nuk kanë vendosur ende ose nuk prononcohen, ndërsa 14.1% nuk do të votonin fare.
Krejt në fund, Barometri shqiptar mat disponimin e votuesve karshi ofertave dhe kombinimeve të mundshme për zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024.
Në rastin ku tre blloqet kryesore që janë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASh) dhe Lëvizja Evropiane për Ndryshim (LEN) do të garonin veç e veç, BDI do të dilte fituese absolute e zgjedhjeve me 29% përkrahje, pasuar nga LEN me 16.6% dhe ASh me 12.2%. PDSh dhe SDSM do të mirrnin vetëm 0.2% të votave secila. Afro një e pesta e të anketuarve (19.6%) janë të papërcaktuar ose nuk prononcohen.
Por, në rast se ASh dhe LEN do të bashkonin forcat dhe do të garonin në një listë të përbashkët, ky bllok do të fitonte zgjedhjet përballë BDI-së. Koalicioni ASh-LEN do të dilte i pari me 34.8% dhe 8 pikë epërsi ndaj BDI-së e cila do të mirrte 26.8% të votave sipas Barometrit shqiptar të IPP Arbën Xhaferi. PDSh dhe SDSM do të mirrnin vetëm 0.1% dhe 0.4% të votave respektivisht. 18.2% e të anketuarve janë të papërcaktuar ose nuk prononcohen.
Metodologjia
Një mostër përfaqësuese në nivel shtetëror prej 1,015 të anketuarve të moshës 18 vjeç e lart u anketua ndërmjet 9 dhe 14 dhjetorit 2023 përmes intervistave telefonike. Hulumtimi është kryer duke përdorur metodologjinë e përzgjedhjes rastësore, duke siguruar një përfaqësim gjithëpërfshirës të popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, bazuar në karakteristikat demografike si gjinia, mosha, arsimi, si dhe njësia zgjedhore dhe komuna ku ata jetojnë. Margjina e gabimit është 3 pikë, me një nivel besimi 95 për qind. Hulumtimi është realizuar dhe financuar nga Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi.