Njëzet e një organizata joqeveritare në Maqedoninë e Veriut që merren me mbrojtjen e mjedisit jetësor i kanë kërkuar Kuvendit maqedonas tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e objekteve të paligjshme.
Kërkesa e tyre drejtuar deputetëve dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, është bërë me arsyetimin se ndryshimet dhe plotësimet e parapara të këtij ligji, janë shumë të dëmshme për funksionimin e hapësirave urbane.
“Në rast se nuk tërhiqet, ju lusim mos ta votoni këtë projektligj të dëmshëm me pasoja të mëdha”, thuhet në kërkesën e organizatave joqeveritare ku janë nënshkruar Iniciativa O2. Green-Org-KO Koçani, Eco – Guerrila Tetovë, Eco-Logic, Front 21/42, Zdrava Kotlina, Go Green, Ohrid SOS, Eco Dolina”, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, etj.
Sipas tyre,“në këtë mënyrë, lejohet legalizimi i objekteve në zona të mbrojtura nga UNESCO, si Ohri”, sidomos zonat në afërsi të lumenjve që paraqesin rrezik për pastërtinë e ujërave si dhe cilësinë e ndërtimeve.