Në lidhje me rikonfirmimin e dënimit ndaj “Grupit të Kumanovës” në rastin “Lagja e Trimave”, ka reaguar partia opozitare Aleanca për Shqiptarët (ASH), duke thënë se, “shqiptarët nuk mund të jenë mish për top sa herë që klasa politike në Maqedoninë e Veriut duhet të mbulojë skandalet e saja”.
Në reagimin e tyre, nga ASH-ja vendimin e sotëm e kanë krahasuar me periudhën kur ka ndodhur rasti, në raport me partitë politike në pushtet.
“Dje regjimi VMRO-BDI me qëllim të spostimit të vëmendjes së opinionit nga skandalet e të ashtuquajturave bomba, montoi rastin e Kumanovës, sot regjimi i ri LSDM dhe BDI me po të njëjtin qëllim edhe për politika ditore me mekanizmat e njëjtë të kapjes se gjyqësisë, rikonfirmoi dënime të papara edhe në procesin e Nyrenbergut”, thuhet në reagim, me çka kanë kërkuar edhe hetim ndërkombëtar, për të dhënë përgjigje në pyetjet siç vijojnë më poshtë: Kush dha urdhër për të gjuajt pa paralajmërimin për t’u dorëzuar drejt djemve të lagjes së trimave? A është e vërtetë se është dhënë urdhër për ekzekutim të më së paku dy pjesëmarrësve në konflikt pasi ata u dorëzuan? Çka mund të zbulonin këta të ekzekutuar, etj?
Reagimi vjen pasi sot Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore për Grupin e Kumanovës, i cili më 2 nëntor 2017 ishte dënuar me 746 vjet burgim. Për veprën terrorizëm ishin dënuar gjithsej 37 persona, shumica shtetas të Kosovës, të cilën ishin shpallur fajtorë për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”.