MPB ashpër i demanton spekulimet të cilat sot u shpërndanë nëpër disa portale, televizione lokale dhe rrjete sociale për gjoja parandalimin e tentimit për rrëmbim të personave të mitur në oborrin e shkollës në Komunën e Karbincit.
“Sipas paraqitjes zyrtare në polici: Sot (05.12.2023) në ora 09.52 në SPB Shtip nga një shkollë fillore në Komunën Karbinci është paraqitur se rreth orës 09.30 në oborrin e shkollës me automjet të tipit “Golf” ka ardhur një djalosh i ri, i cili sipas paraqitjes, ka ftuar një vajzë të hyjë në veturë që të shkojnë të pinë kafe, por ajo menjëherë është kthyer në shkollë dhe ka paraqitur te drejtoresha. Po punohet në pastrimin e rastit”, informojnë nga MPB.
Ata shtojnë se publikimi i spekulimeve të këtilla, një pjesë janë për qëllime politike ditore, kanë për qëllim të shkaktimit të panikut, shqetësimit, frikës dhe pasigurisë së qytetarëve.
“Apelojmë deri te qytetarët të mos bien pre e spekulimeve të këtilla. Gjithashtu i falënderojmë mediat të cilat i verifikojnë informatat në institucionet kompetente”, porosisin nga MPB.
Ndryshe, këtë dezinformatë, fillimisht e publikoi TV Star nga Shtipi, ndërkaq më pas kryetari i Komunës Karbinci, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Viktor Paunov, mbajti konferencë për shtyp të mbushur me dezinformata para shkollës, se gjoja ka pasur tentim për rrëmbim.
Dezinformatat e këtilla, shpërndahen si rrjedhojë e shumë dezinformatave në lidhje me vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit nga Velesi, Pançe Zhezhovski.