Qindra oficerë policie kontrolluan pronat e anëtarëve dhe ndjekësve të Hamasit në Gjermani të enjten në mëngjes pas një ndalimi zyrtar për çdo aktivitet nga ose në mbështetje të grupit militant.
Qeveria gjermane zbatoi ndalimin më 2 nëntor dhe shpërndau Samidoun, një grup që qëndronte pas një festimi në Berlin të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Shërbimi i brendshëm i inteligjencës gjermane vlerëson se Hamasi ka rreth 450 anëtarë në vend. Aktivitetet e tyre variojnë nga shprehja e simpatisë dhe aktivitetet propagandistike deri te aktivitetet financuese dhe mbledhjen e fondeve për të forcuar organizatën jashtë vendit.
“Në të gjithë Gjermaninë, 15 prona u bastisën dhe u kontrolluan, 11 prej tyre në Berlin”, tha një zëdhënëse e administratës së qytetit.
Policia bastisi gjithashtu pronat në landet e Saksonisë së Poshtme, North Rhine Westphalia dhe Schlesëig-Holstein në lidhje me ndalimin e organizatës terroriste Hamas dhe rrjetit ndërkombëtar të mbrojtjes së të burgosurve palestinezë ”Samidoun” në Gjermani.
Qeveria gjermane i ndaloi të dy grupet në fillim të këtij muaji.
Ministria e Brendshme gjermane njoftoi bastisjet sot në mëngjes.
”Masat u urdhëruan nga gjykatat administrative për të zbatuar ndalimet dhe për të sqaruar më tej strukturat e këtyre grupeve të ndaluara”, tha ministria.
Janë kontrolluar gjithsej 15 prona.
“Ne po vazhdojmë aksionin tonë të vazhdueshëm kundër islamistëve radikalë”, tha ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser.
Më 2 nëntor, qeveria gjermane ndaloi ”Samidoun” dhe vendosi masa të mëtejshme për të zhdukur mbështetjen për grupin militant palestinez islamik Hamas, i cili tashmë është i listuar si një organizatë terroriste në Bashkimin Evropian.
“Samidoun’, si një rrjet ndërkombëtar, përhap propagandë antiizraelite dhe antihebraike nën maskën e të qenit një organizatë solidariteti për të burgosurit në vende të ndryshme”, tha Faeser.
”Pasuritë e grupeve mund të konfiskohen dhe çdo prani në internet ose aktivitete në media sociale nga grupet është nxjerrë jashtë ligjit”, sipas Ministrisë së Brendshme.