Sipas një publikimi nga Eurostat, më shumë se gjysma e shqiptarëve (55.3%) e konsiderojnë veten subjektivisht të varfër.
Të dhënat nga viti 2021, tregojnë se shqiptarët ndihen të dytët më të varfrit e Europës, me mbi dy herë më shumë se mesatarja e BE-së (24.8%). Vendin e parë e mbajnë grekët, 68% e të cilëve kanë deklaruar se ndihen subjektivisht të varfër.
Treguesit subjektiv të varfërisë bazohen në rezultatet nga statistikat e Bashkimit Europian (BE) mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), një mbledhje e të dhënave që kryhet në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së, si dhe në shumicën e vendeve kandidatëve. Treguesit përdorin, si bazë, informacionin mbi aftësinë për të përballuar jetesën.
Ndër vendet e rajonit, serbët ndihen më pak të varfër pasi vetëm 44% e perceptojnë veten si të tillë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 47.2% dhe në Malin e Zi me 50.1%.
Të ndarë sipas gjinisë, 54.7% e meshkujve shqiptarë e konsiderojnë veten të varfër, përkundrejt 55.6% të femrave. Ndërkohë sipas grupmoshave, të moshuarit janë ata që e ndiejnë veten më të varfër pasi 58.4% e të moshuarve (mbi 65 vjeç) e konsideronin veten subjektivisht të varfër. Por jo vetëm kaq pasi e lartë është edhe përqindja e fëmijëve deri në 18% vjeç që e mendojnë njëlloj, me 58.1%, nga 43% që është në Serbi. Kjo përqindje ulet në 54.5% për grupmoshën 18-64 vjeç.
Në krahasim me mesataren europiane prej 9.2%, të arsimuarit shqiptarë ndihen tre herë më të varfër. Të arsimuarit shqiptarë (28.4%) ndihen pothuajse njësoj të varfër me shtetasit e Bashkimit Europian me arsim fillor (29.5%).