Grupi punues për reforma në legjislacionin zgjedhor sot, në Shkup mbajti seancën e tretë për zbatimin e ndryshimeve të rekomanduara nga OSBE dhe ODIHR që kanë të bëjnë me financimin e partive politike dhe përfaqësimin mediatik. Pas 6 muajve ky grup punues sot duhej t’i miratojë ndryshimet dhe më pas t’i dorëzojë te Ministria e Drejtësisë, mirëpo u vendos që grupi të takohet edhe një herë për finalizimin e ndryshimeve dhe pastaj do t’iu dorëzohen edhe VMRO-së edhe opozitës shqiptare që nuk morën pjesë në këtë grup punues.
Kryetari i grupit punues, Aleksandar Novakovski për mediat tha se ndryshimet të cilat sipas rregullatores mundeshin të implementohen janë gati dhe se sot ato duhet të miratohen. Sa i përket punës së grupit punues ai tha se do të mundohen të gjejnë mënyrë që të vazhdojnë me punë mirëpo ky grup është zgjedhur me mandat vetëm për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-së.
“Të gjitha ndryshimet që mund të zbatohen janë zbatuar, disa nuk mund të zbatohen për shkak se nuk janë në përputhje me ligjin zgjedhor dhe më pas shpresoj se do të gjendet mënyrë që ky grup punues të vazhdojë me punë me hartimin e kodit zgjedhor, jo për këto zgjedhje por për zgjedhjet e ardhshme që kërkon një periudhë më të gjatë për shkak të ndryshimeve që ka pasur në procesin zgjedhor. Këto ndryshime do të kontribuojnë që ta bëjnë më të qartë procesin zgjedhor”, tha Novakovski.
Zëvendës ministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Mandiq, e pyetur nga gazetarët se a do të ketë grup të ri punues për këto ndryshime për shkak se nga VMRO-DPMNE dhe nga opozita shqiptare nuk ka përfaqësues në grupin punues tha se nuk do të ketë grup të ri punues dhe se VMRO-DPMNE ka qenë e ftuar të marrë pjesë dhe sa i përket opozitës shqiptare ata janë formuar pas formimit të grupit punues, mirëpo projekt ligji do tu dorëzohet të dyjave palëve.
“Opozita ishte e thirrur disa herë që të marrë pjesë madje edhe i ishte ofruar pozita e kryetarit, mospjesëmarrja e tyre nuk do të thotë se ne nuk do të bashkëpunojmë. Dhe sa i përket opozitës së re, ajo nuk ishte prezentë kur u formua grupi i punës. Nuk do të ketë grup të ri punues, do t’u dërgohet grupeve parlamentare dhe opozitës së re.” tha Mandiq.
Në grupin punues për reforma në legjislacionin zgjedhor i cili u formua në prill të këtij viti, janë të përfshirë përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare, sindikatave, ministrive dhe organeve përgjegjëse për zbatimin e procesit zgjedhor dhe kryetari i grupit punues është eksperti dhe ish-kryetari i KSHZ-së Aleksandar Novakovski. Ndërkaq nga paritë politike, përfaqësues kanë LSDM, BDI, Aleanca për Shqiptarët, BESA, Alternativa, E Majta dhe Bashkimi Demokratik. VMRO dhe Opozita Shqiptare nuk kanë përfaqësues në këtë grup punues. Ky grup punues duhej në të njejtën kohë paralelisht të punojë edhe në Kodin Zgjedhor.
Rikujtojmë se më 13 mars, ambasadori holandez Jan Kop, gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë, Krenar Lloga, ka shprehur interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor.
Ndryshe, kohë më parë Pavle Trajanov, ua ka dorëzuar deputetëve propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me qëllim që të tregojnë qëndrimet dhe sugjerimet e tyre. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.