7.2 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmePas bastisjes së banesës së tij, flet ish-këshilltari i Thaçit Artan Behrami:...

Pas bastisjes së banesës së tij, flet ish-këshilltari i Thaçit Artan Behrami: Ata vijnë për t’i frikësuar qytetarët

Ish-këshilltari i Thaçit, Artan Behrami, pas përfundimit të bastisjes së banesës së tij, para mediave ka thënë se bastisje të tilla kanë qëllim frikësimin e qytetarëve.

“Ata nuk vijnë për të marrë diçka por për të tërhequr vëmendje mediale dhe për të ndjellë frikë. Por ne nuk jemi frikësuar as në luftë e as nga regjimi i Millosheviqit e as nuk i frikësohemi as kësaj Prokurorie”, ka thënë Behrami, duke shtuar se janë krenar me punën që kanë bërë me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara në Hagë nuk mund t’i bastisin 1.8 milionë banorë që kundërshtojnë këtë Gjykatë dhe se veprimet e fundit kanë për synim tërheqjen e vëmendjes mediale.

Ish-këshilltari i Thaçit ka shtuar se Dhomat e Specializuara në Hagë më shumë “po investojnë në propagandë se sa në vënie të drejtësisë”.

“Dhomat e Specializuara në Hagë më shumë po investojnë në propagandë se sa në vënie të drejtësisë. Nuk dua të hy në detaje se çfarë janë konfiskuar por të gjithë qytetarët e Kosovës janë cak i bastisjeve por dua ta theksoj se nuk ka Polici që mund t’i bastis 1.8 milion banorë në Kosovë e as nuk ka prokurorë për të shkruar shkresa për këta banorë”, ka shtuar ai.

Prokuroria e Gjykatës Speciale ka bastisur sot banesën e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka konfirmuar bastisjet në shtëpitë e tre ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Blerim Shala, Bashkim Smaka dhe Artan Behrami.

Në një përgjigje për Dukagjinin, ata kanë konfirmuar, por nuk kanë dhënë detaje në lidhje me rastin.

“Faleminderit për komunikimin tuaj. Zyra e Prokurorit të Specializuar (SPO) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë. Operacionet e PSP-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje.

Kujtojmë që dje (e hënë) janë bastisur shtëpitë edhe të dy ish-këshilltarëve tjerë të Thaçit, Blerim Shala dhe Bashkim Smaka.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments