Në kuadër të hetimeve për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Policia e Kosovës ka kryer një tjetër aksion të mërkurën. Janë bastisur tetë lokacione në Mitrovicë të Veriut e Zveçan, përfshirë edhe vendbanimet e tre të dyshuarve të arrestuar për sulmin terrorist
Lugina e Diellit në Komunën e Zveçanit ishte vetëm një nga lokacionet, ku Policia ka kryer bastisjen e radhës pas sulmit në Banjskë.
Të mërkurën, u kryen kontrolle në gjithsej tetë lokacione në dy komunat veriore, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, tha se aksioni i së mërkurës është kryer në vendbanimet e personave të arrestuar gjatë operacionit të 24 shtatorit.
“Të gjithë këta janë të lidhur me rastin Banjska të rastit 24 shtator, kështu që të gjitha këto bastisje të cilat kanë ndodhur sot janë në lidhje me hetimet të cilat janë duke u zhvilluar për rastin Banjska…. Rasti i Banjskës është një rast I rëndë që ka ndodhur me 24 shtator hetimi është i thellë delikat, me siguri do të zgjasë, aty ku na dërgojnë hetimet shkojmë edhe ne”, ka thënë Elshani.
Përveç në Zveçan, aksioni vazhdoi edhe në Mitrovicën e Veriut.
Zëvendësdrejtori Elshani nuk e ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të ngjashëm me atë në Banjskë. Por sipas tij, Policia është në gatishmëri.
“Ne do të kishim dëshirë me parandalua raste të tilla, të ngjashme ne nuk mund të përjashtojmë që një rasti i tillë mund të ndodhë, atë çfarë mund ta themi është, që Policia është e gatshme të reagon me forca të mjaftueshme me numër të mjaftueshëm të Policëve, shpresojmë të mos vije tek ajo”, ka shtuar ai.
Një muaj nga sulmi terrorist në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është konfiskuar arsenal armësh dhe janë arrestuar tre persona si të dyshuar për pjesëmarrje në këtë grup serbësh. Sipas institucioneve të sigurisë, vlera e armatimit të konfiskuar është mbi pesë milionë euro.
Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë nënkryetari i deridjeshëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mirëpo nga Qeveria kanë insistuar se ai është vetëm realizator, kurse shteti i Serbisë, organizator.