-0.2 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmeSpasovski për gazetën gjermane: Konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka ndikim negativ...

Spasovski për gazetën gjermane: Konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka ndikim negativ në sigurinë në rajon

Konflikti aktual ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka ndikim negativ në situatën e sigurisë në rajon, ka theksuar ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në një intervistë për të përditshmen gjermane “Neue Osnabrücker Zeitung” i pyetur se si i vlerëson tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe nëse ka frikë nga një luftë e re ballkanike.

“Konflikti aktual ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka ndikim negativ në situatën e sigurisë në rajon. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje. Vetëm nëse kjo ka sukses, ne mund të përqendrohemi në zhvillimin e rajonit. Prandaj, veçanërisht vendet e Ballkanit duhet të udhëheqin një fushatë për këtë”, theksoi ministri Spasovski.

Në intervistën për gazetën gjermane, Spasovski ka përmendur disa tema që prekin vendin, por edhe vendet e Bashkimit Evropian.

Kështu, i pyetur se si Maqedonia e Veriut përballet me të qenit vendi kryesor tranzit për refugjatët që duan të hyjnë në BE përmes Ballkanit, Spasovski thotë se Maqedonia e Veriut është në një pozitë shumë të veçantë gjeografike.

“Emigrantët udhëtojnë nga Greqia, një vend i BE-së, përmes një vendi që nuk është anëtar i BE-së dhe më pas rihyjnë në BE. Kjo është një sfidë për Maqedoninë e Veriut dhe për Bashkimin Evropian. Prandaj, është logjike të bashkëpunohet me BE-në në lidhje me kufijtë. Kjo nuk është asgjë e re për ne. Ne kemi shtatë vjet që bashkëpunojmë me vendet e BE-së për menaxhimin e kufijve. Vendosja e Frontex-it është zhvillim logjik i këtij bashkëpunimi”, sqaron Spasovski.

Sipas tij, këtë vit janë parandaluar 10 mijë e 455 tentativa për kalime të paligjshme kufitare, shumica prej tyre në kufirin jugor me Greqinë.

“Këtë vit po shohim një trend prej gati 50 për qind ulje të tentativave për kalime të paligjshme në krahasim me vitin e kaluar”, theksoi ministri i Brendshëm.

I pyetur për gjendjen aktuale me migrimin ilegal, Spasovski u përgjigj se sot shifrat janë shumë më të vogla, por Maqedonia e Veriut mbetet një vend i rëndësishëm transiti drejt vendeve anëtare të BE-së.

“Gjendja aktuale e kufijve tanë nuk është e krahasueshme me situatën e viteve 2015/16. Gjatë asaj periudhe, më shumë se një milion njerëz udhëtuan përmes rrugës ballkanike për në Bashkimin Evropian. Në Maqedoninë e Veriut kemi regjistruar 10,000 deri në 12,000 kalime kufitare në ditë. Sot shifrat janë shumë më të vogla, por Maqedonia e Veriut mbetet një vend i rëndësishëm transiti drejt vendeve anëtare të BE-së”, tha Spasovski.

Në intervistë, Spasovski është i vendosur në pyetjen se a është e mundur të imagjinohet një qendër azili nga BE-ja në territorin e Maqedonisë.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë: procedurat e azilit për vendet e tjera të BE-së nuk zbatohen në Maqedoninë e Veriut dhe kjo nuk do të ndryshojë. Nëse Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, kjo mund të ndryshojë. Për sa kohë që nuk është kështu, qendra të tilla mbeten të shkëputura”, theksoi ministri.

Sipas Spasovskit, shumica e emigrantëve vijnë nga Maroku, Pakistani dhe Afganistani.

“Kontrabandistët profesionistë i çojnë njerëzit përtej kufirit. Në Maqedoninë e Veriut, në tetë muajt e parë, zbuluam 74 tentativa për të kontrabanduar 734 emigrantë. Në vazhdimësi bëhet kontrabandë dhe kemi iniciuar procedura kundër 68 personave për kontrabandë në tetë muajt e parë”, përfundoi Spasovski në intervistë.

Kujtojmë se një polic dhe tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e 24 shtatorit në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë “të plagosur, me uniformë dhe të armatosur”, ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments