Brigadat e armatosura të Hamasit, Izzeddin Kassam njoftuan se goditën me raketa Aeroportin Ndërkombëtar “Ben Gurion” në kryeqytetin e Izraelit, Tel Aviv, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite kundër civilëve në Gaza, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Brigadave Izzeddin Kassam thuhet se Tel Avivi ishte në shënjestër si kundërpërgjigje ndaj shënjestrimit të civilëve në Gaza dhe se Aeroporti Ndërkombëtar “Ben Gurion” u godit me raketa.
Konflikti Izrael-Palestinë
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.
Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën Portën Kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit ndërsa ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 770 palestinezë u vranë dhe rreth 4 mijë u plagosën në sulmet izraelite në Gaza. Thuhet se 19 palestinezë janë vrarë dhe rreth 100 janë plagosur nga sulmet e ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme izraelite thuhet se në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën të paktën 900 izraelitë dhe janë plagosur 2.616 persona, 157 prej tyre në gjendje të rëndë.