Në kuadër të hetimeve për sulmin e 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit, është gjetur dokumenti personal dhe vetura e Milorad Jevtiqit, kështu ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Në një postim në Facebook Sveçla ka thënë se Jevtiq njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb.
“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtiq gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtiq njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuçiq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar ai.
Sveçla tutje ka shtuar se nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë.
“Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan. Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.