Bexheti e lavdëron Gruevskin: Themeloi shkollën e mesme në Saraj,mund të kthehet kur të dojë në Maqedoni

0
208

Kryetari aktual i Sarajit, Blerim Bexheti lavdëroi ish kryeministrin Nikolla Gruevski për ndërtimin e shkollës së mesme në komunën që drejton. Në një intervistë për Alsat, Bexheti tha se procedurat për ndërtimin e kësaj shkolle që u themelua gjatë kohës kur Gruevski ishte kryeministër, kanë rrjedhur pa asnjë problem.

Ju keni qenë ministër i drejtësisë në kabinetin e Gruevskit. Si e keni njohur atë? Vërtetë shqiptarët nuk e donin vetëm për shkak të propagandës në media, siç tha Ahmeti, apo për shkak të politikave të tij që shpesh cilësoheshin si antishqiptare?

“Unë kam qenë ministër në kabinetin e tij por kam qenë nga radhët e BDI-së si rezultat i vullnetit politik të shprehur në zgjedhje që i është dhënë mbështetje BDI-së dhe kemi punë në kabinetin e tij. Qendrimet e tij kanë qenë publike dhe varet se kush si i sheh dhe gjithkush mund t’i sheh”, deklaroi Bexheti në Alsat.

Ju si i shihni?

“Ja një rast konkret, shkolla e mesme në Saraj kur ishte themeluar, më herët ishin problematike këto çështje, ka shkuar në mënyrë shumë të shpejtë pa asnjë urgjencë, si pikë e rregullt e rendit të ditës. Do të flas vetëm për në Saraj disa çështje, kthimi i Liqenit Treska, etj. Është e vërtetë që RMV-ja ka vite që kalon një proces të ndërlikuar me Bullgarinë por edhe çështjet e brendshme që kohë pas kohë kanë pasur dallime shqiptarët dhe maqedonasit  dhe këtu është shumë legjitime që ka pasur qëndrime të kundërta. Fatkeqësisht u lëshua një mundësi e mirë që shumë më herët të tejkalohen këto konteste dhe sigurisht që gjithkush mban përgjegjësinë e vet dhe të drejtën e vet për qëndrimet e veta”.

Sekretari organizativ i BDI-së dhe ish ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti thekson se Nikolla Gruevski mund të kthehet në Maqedoni kur të dojë ai, pasi është shtetas i vendit. Bexheti i ftuar në edicionin qendror të lajmeve të Alsat, tha se VMRO-ja duhet të zbardh se cilin ministër nga radhët e BDI-së ka qenë pjesë e delegacionit që është takuar me Gruevskin në Budapest.

“Unë nuk mund të di a do të kthehet apo jo Nikolla Gruevski. Ai është shtetas i këtij vendi si të gjithë ne tjerët. Ai ka pas të drejtë në çdo kohë të kthehet. Ai ka pasur bindjet e tij, ka pasur mundësinë që të paraqitet tek organet e rendit dhe të kthehet sepse është shtetas i vendit por ai u përcaktua që të merr statusin e aziltantit në Hungari dhe ashtu vazhdoi. Tani të gjitha këto përplasje për ligjet po ndodhin në VMRO dhe fatkeqësisht këtij treni po i bashkohen edhe politikan shqiptarë”, theksoi Blerim Bexheti, BDI.

Dje Mickoski dhe sot Milloshovski, thanë se ekipi që punon për amnistimin e Nikolla Gruevskit ka qenë edhe një ministër i BDI-së, bashkë me ta në Budapset. E dini ju kush është ministri i BDI-së që ka udhëtuar në Budapest për këtë qëllim?

“Po mirë është që vetë VMRO-ja të tregojë atë se cili ministër ka qenë. Sigurisht që nuk dua të luaj rolin e avokatit të asnjë ministri. Unë më së paku kam nevojë. Por sigurisht që ndryshimet kushtetuese janë të dobishme për shtetin dhe qytetarët. Dhe tash në dallimin e brendshëm që VMRO e kanë është çështje e brendshme dhe nuk duhet ta pengojë këtë proces shumë të rëndësishëm për fillimin e negociatave me BE-në”, theksoi Blerim Bexheti, BDI. /Alsat.mk