Në shenjë proteste për mungesë të teksteve shkollore, profesoresha e gjuhës angleze në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, liroi nxënësit nga ora e mësimit. Është absurde të mbash orë mësimore pa libër thotë profesoresha Lulzime Lazami, e cila apelon Ministrinë që të sigurojë tekstet
“Gjuha angleze pa libra nuk mund të mësohet dhe këtë e dinë mirë edhe prindërit edhe ata që merren me procesion arsimor, Ministria e Arsimit, sepse nuk ka ministër që nuk ka ndjek ndonjë kurs të gjuhës angleze dhe e dinë mirë se s`mund të mësosh pa libër gjuhën angleze dhe kjo krijon pengesë të madhe në mbarëvajtjen e orës mësimore. Librat e gjuhës angleze në gjimnaz janë dhjetë vite pa u ndërruar, andaj dhe nuk kemi libra sepse janë bërë të papërdorshëm”, deklaroi Lulzime Xhelili Lazami.
Nxënësit nga ana tjetër nuk kanë vetëm hallin e notave në gjuhën angleze, por edhe të provimit shtetëror.
“Ne jemi jashtë sepse librat në gjuhën angleze mungojnë, por edhe ata që i kemi u mungojnë fletat janë të shkatërruar. Kjo është me rëndësi sepse na duhen nota duhet të mësojmë nga diku po s`kemi ku”, tha një nxënës.