Komuna e Gostivarit sonte organizoi mbledhje komemorative kushtuar veprës dhe jetës së nobelistit shqiptar me prejardhje nga Llakavica e Gostivarit, Dr. Ferid Murad, përcjell FLAKA.
Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe akademiku Alajdin Abazi, i cili propozoi dhe kërkoi nga kreu i Gostivarit dhe ASH-së, Arben Taravari që autostrada Gostivar-Tetovë ta mbajë emrin e Ferid Murad. Ai poashtu potencoi se që jeta dhe vepra e tij të bëhet pjesë e njësive mësimore që në shkollë të mesme.
“Unë mendoj se duhet të kërkojmë së bashku që në shumë vende dhe organizata të përdoret emri i tij. Emri i tij për shembull të përdoret për rrugën Gostivar – Tetovë dhe që vazhdon tutje, të jetë rruga e Ferid Muradit. A ka ndonjë kundërshtim, diçka më mirë se ai dhe ta kemi gjithmonë para vetes. E dyta, mendoj se programet mësimore, nuk flas vetëm për mjekësinë, por në përgjithësi, ai që ka pasur kontakt me të ka mundur me dhënë ndonjë kontribut. Ministria e Arsimit duhet edhe fëmijët e edhe fëmijë e fëmijëve, në gjimnaz e më tutje së paku të ketë një mësim mbi Ferid Muradin”, deklaroi akademiku Alajdin Abazi.
Ish-rektori i Universitetit Juglindor të Tetovës dhe akademiku Alajdin Abazi, më tej nënvizoi që edhe institucione tjera vendore duhet ta mbajnë emrin e laureatit të nobelit, Ferid Murad.
“E kemi edhe Nënën Terez, por Ferid Muradi tani është diçka më reale, na nevojitet në universitete, në Ministrinë e Arsimit e kështu me radhë që të bëjmë përparime”, deklaroi akademiku Alajdin Abazi.
Në këtë mbledhje komemorative fjalim rasti mbajtën edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, mjeku Kastriot Haxhirexha, biznesmeni nga SHBA-të, Harun Ceka dhe mjeku Ferid Muaremi.