3.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeShefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë: Mbështetje...

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë: Mbështetje KFOR-it për sigurinë në Kosovë dhe me gjerë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Arben Kingji, mori pjesë në takimin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, në nivel shef shtabi, të mbajtur në Oslo të Norvegjisë.

Takimi u drejtua nga kryetari i Komitetit të NATO-s, admiral Rob Bauer, me mbështetjen e komandantit Suprem të Aleancës në Evropë, gjeneral Cavoli, dhe komandantit të Lartë të Aleancës për Transformim, gjeneral Lavigne.

Gjatë punimeve të këtij takimi, përfaqësuesit e lartë ushtarakë diskutuan mbi një seri temash, të cilat përfshinin materializimin e vendimeve të marra gjatë Samitit të Vilnius, shkurajimin dhe mbrojtjen, aftësinë për të zbatuar planet rajonale si pjesë e familjes së planeve të NATO-s, përshtatjen e strukturave të komandim – kontrollit të NATO-s, situatën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në zonën euroatlantike, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse në hyrje të takimit, admiral Bauer pasi përshëndeti përfaqësuesit norvegjezë për organizimin e konferencës, theksoi ndër të tjera: “Sot, si asnjëherë më parë në historinë e NATO-s, planet e mbrojtjes kombëtare të vendeve aleate janë të ndërthurur me planet e mbrojtjes së NATO-s. Planet për të cilat u ra dakord në Samitin e Vilnius do të ndikojnë në zhvillimin e Forcave tona të Armatosura për dekadat në vijim”.

Një sesion i veçantë në këtë takim iu kushtua gjithashtu situatës në Ukrainë.

Në fjalën e tij gjatë këtij sesioni, gjeneralmajor Kingji njohu pjesëmarrësit me mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për trajnimin dhe mbështetjen me armatim, municione dhe automjete për forcat ukrainase, si dhe gatishmërinë e shtetit shqiptar për ta vijuar këtë mbështetje dhe në të ardhmen.

Po kështu, gjeneralmajor Kingji theksoi ndikimin që lufta në Ukrainë ka pasur në mjedisin global të sigurisë dhe nevojën për të mos shmangur nga vëmendja një ndikim të mundshëm në mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Në lidhje me këtë pikë, gjeneralmajor Kingji theksoi rolin e KFOR për sigurinë në Kosovë dhe me gjerë, si dhe angazhimin e tij për mbështetjen e këtij operacioni të NATO.

Në sesionin dedikuar mbi aftësinë për të ekzekutuar planet e Aleancës, ku përfshihet mbështetja logjistike, mbështetja e vendit pritës, lëvizja e kapaciteteve ushtarake dhe sigurimi i rezervave, gjeneralmajor Kingji theksoi se “përfshirja nga Bashkimi Evropian i Korridorit 8 në rrjetin kryesor transevropian, ka një rëndësi të veçantë për lëvizjen e forcave dhe mjeteve nga brigjet e Adriatikut deri në kufijtë lindorë të Aleancës, dhe në këtë kuadër vendi ynë me aeroportin e Kuçovës dhe cilësitë e portit të ri të Porto Romanos, ofron gjithë kapacitetet për të mbështetur lëvizjen e forcave”./kp/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments