Tenderi për zgjedhjen e kontraktorit për Sistemin inteligjent të transportit (SIT) që do të zbatohet në autostradën përgjatë Korridorit 10 është duke u zhvilluar, njofton Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Meta.mk. I gjithë trafiku nga Velesi në Tabanovc do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga qendra e kontrollit përmes vendosjes së video mbikëqyrjes përgjatë autostradës, do të vendosen sinjale elektronike të komunikacionit për informimin e drejtuesve të mjeteve për gjendjen e rrugës, do të vendosen telefonat SOS, si dhe sisteme për dhënien e informacioneve për kushtet e motit në rrugë dhe për matjen e gazeve serrë.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve sqaron se me tenderin aktual do të punohet në trasenë nga nyja rrugore Veles-jug deri në vendkalimin kufitar Bogorodicë. Deri më 20 shtator priten oferta nga kompanitë e interesuara për zbatimin e Sistemit Inteligjent të Transportit, pas së cilës do të vijojë vlerësimi i ofertave dhe nënshkrimi i kontratës në fund të vitit ose në fillim të vitit 2024.
“Pritet që zbatimi i SIT të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe të zgjasë për 14 muajt e ardhshëm, që është periudha e planifikuar e performancës. Pas përfundimit të instalimit të pajisjeve, planifikohet t’i kalojë menaxhmentit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, si shfrytëzues dhe menaxhues i infrastrukturës rrugore. Menaxhimi i SIT në pjesën jugore është planifikuar të bëhet nga hapësirat e Qendrës për menaxhimin e tunelit të Demir Kapisë”, tha Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Ky sistem përfshin zgjidhje inovative për menaxhimin e trafikut, në radhë të parë për përmirësimin e kushteve të sigurisë rrugore dhe digjitalizimin e menaxhimit të trafikut, lëvizshmëri më të qëndrueshme, efikase dhe më të sigurt të qytetarëve.
Me video-mbikëqyrjen, sinjalizimi elektronik dhe pajisjet e tjera përgjatë autostradës do të rrisin sigurinë në komunikacion, por edhe do të inkurajojnë mirëmbajtjen dhe funksionimin e autostradës përgjatë Korridorit 10, sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjev.
Zbatimi i sistemeve inteligjente të transportit (SIT) në rrugët e Maqedonisë është një nga qëllimet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Transportit (2018-2030), e cila duhet të realizohet në periudhën deri në vitin 2030. Në kuadër të projektit për nxitjen e tregtisë dhe transportit në vendet e Ballkanit Perëndimor të Bankës Botërore, u siguruan burime financiare për zhvillimin e një Strategjie Kombëtare për Sistemet Inteligjente të Transportit, si dhe për prokurimin, instalimin dhe vënia në punë e pajisjeve përgjatë Korridorit 10.
“Strategjia kombëtare për SIT është hartuar dhe informacioni për miratimin e saj është dorëzuar në Qeveri dhe pritet të miratohet deri në fund të shtatorit”, njofton Ministria e Transportit.
Deri më tani është përgatitur dokumentacioni i projektit për instalimin e SIT përgjatë Korridorit 10, si dhe për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Trafikut, e cila do të vendoset në Petrovec.
Qeveria po punon gjithashtu për sigurimin e fondeve shtesë të pakthyeshme në kuadër të Programit të Transportit të Sigurt dhe të Qëndrueshëm përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë së Mirë – DG NEAR për zbatimin e SIT në pjesën veriore të Korridorit 10, të Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Trafikut dhe zbatimin e sistemeve të kontrollit të peshës së automjeteve, transportin e mallrave të rrezikshme dhe matjen e ndotjes së ajrit përgjatë këtij korridori.
Ndryshe, në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Sisteme inteligjente transporti , është paraparë implementimi i pajisjeve moderne dhe zgjidhjeve digjitale për përmirësimin e sigurisë në komunikacion përgjatë autostradave të Korridorit 8 dhe autostradës Miladinovci-Shtip. Është një synim afatmesëm që parashikohet nga Strategjia Kombëtare për SIT.
Zbatimi i Sistemit Inteligjent të Transportit në autostradën përgjatë Korridorit 10 është me vonesë në zbatim në vend, duke pasur parasysh faktin se është shpallur si projekt që prej vitit 2019. Në atë kohë, parashikimet ishin që sistemi modern të vihej në përdorim në vitin 2022, por ndërkohë u shfaq pandemia e Covid-19.
Ndër përfitimet e tjera, Sistemi Inteligjent i Transportit do t’i mundësojë qendrës së kontrollit të monitorojë të gjithë trafikun përmes monitorimit me video, të zbulojë më lehtë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, të ndërhyjë më shpejt dhe më lehtë në rast aksidenti trafiku, por edhe që drejtuesit të marrin në kohë informacion epër vetë autostradën në lidhje me kushtet e ndryshuara për pjesëmarrje në komunikacion. Gjithashtu, me këtë sistem komunikimi-informativ për kontrollin dhe menaxhimin e trafikut, pritet të zvogëlohet sasia e dioksidit të karbonit që çlirohet në ajër.
Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.
Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir. Ndërkaq më 1 qershor në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.