Gazetarët dhe shoqatat mediatike dënojnë ashpër fyerjet dhe skualifikimet e rënda ndaj gazetarëve të IRL-së në njoftimin e sotëm për mediat e kompanisë “Brako”, dhe në lidhje me episodin e fundit të Laboratorit të Gazetarëve Hulumtues (IRL) me titull “Vrasja në Tetovë”.
Autori i këtij njoftimi, në vend që të sqarojë publikun, pra të mohojë tezat individuale nga emisioni, dhe t’u japë përgjigje akuzave të rënda, për të cilat po vijojnë procedurat e organeve hetimore, po tenton censurën. Sipas tonit të njoftimit, është e qartë se qëllimi është diskreditimi publik i gazetarëve kritikë dhe krijimi i kulturës së frikës kur përmenden kompanitë ekonomikisht të fuqishme:
“… ide monstruoze të grupit IRL, që me konstruksionin e fundit fals tregoi se është turp për njerëzit që punojnë profesionalisht në gazetari dhe se po bëhet qartazi kancer për indin e shëndoshë ekonomik të shtetit”, thuhet në një pjesë të shpalljes.
Kjo mënyrë komunikimi paraqet pa mëdyshje presion mbi gazetarinë investigative dhe një përpjekje për të dekurajuar të gjithë gazetarët dhe mediat që të interesohen dhe hetojnë tema që kanë të bëjnë me korrupsionin, sundimin e ligjit dhe abuzimin me pushtetin.
Kujtojmë se javën e kaluar pati disa reagime (përfshirë edhe prokurorinë publike) që i referoheshin historisë së përmendur hulumtuese dhe të gjitha ato në vend që të tregonin apo mohonin informacionet e publikuara, ishin të mbushura me diskreditime dhe ofendime, të cilat është një komunikim publik i papranueshëm.
Gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të kenë përgjegjësi sociale, të punojnë në interes të publikut dhe qytetarëve dhe të mos i nënshtrohen presioneve që ushtrojnë pushtetet ekonomike ndaj pronarëve të medias.
Për të gjitha këto, për presionet ndaj gazetarëve hulumtues, për përpjekjet për krijimin e atmosferës së frikës dhe mosbesimit ndaj mediave, shoqatat e esnafit nga Maqedonia do të informojnë edhe shoqatat partnere, Federatën Ndërkombëtare dhe Evropiane të Gazetarëve.
Kujtojmë se nëse ndonjë qytetar, përfshirë pronarë kompanish apo prokurorë, që ka ndonjë problem me një raportim mediatik nga ndonjë media, ekzistojnë mekanizma mbrojtës ligjorë, si kërkesa për korrigjim apo refuzim. Përveç kësaj, mekanizmat vetërregullues të mediave janë në dispozicion edhe përmes Këshillit të Nderit në SHGM dhe Këshillit për Etikën në Media në Maqedoni .