Këto janë kohë të rralla në historinë e një shteti të cilat konsiderohen si vendimmarrëse për rrjedhat më afatgjate dhe kohë kur agjenda dhe karriera partiake dhe personale janë më pak të rëndësishme se sa përgjegjësia të cilën e mban secili lidhur me të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve.
Këtë e deklaroi shefi i diplomacisë dhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani në ditarin e televizionit Telma, duke e sqaruar qëllimin e dorëheqjeve të kushtëzuara të ministrave të BDI-së. Ai paralajmëroi se dorëheqjet nesër formalisht do t’i dorëzohen kryeministrit në mbledhjen e qeverisë të nënshkruara individualisht nga pesë ministrat. Dorëheqjet, tha, me automatizëm, do të aktivizohen menjëherë sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese, pa vendime të reja nga partia, siç është theksuar në letrën e liderit të partisë.
Lidhur me qëndrimin e opozitës se tani në tavolinë janë vetëm zgjedhjet e parakohshme, Osmani vlerësoi se me këtë dalin në pah dy agjendat e ndryshme – zgjedhjet, agjendat personale, agjendat partiake përkundër interesave shtetërore.
“I plotësojmë të gjitha kërkesat e opozitës njëra pas tjetrës. Ata kërkuan garanci – i morën nga bashkësia ndërkombëtare, kërkuan daljen e BDI – e morën me vendim që hyn me automatizëm në fuqi. Të gjithë duhet të tregojnë përgjegjësi në këto momente të rëndësishme, të gjithë duhet të bëjnë një pjesë të rrugës. BDI e ka bërë hapin e saj, presim që secila parti politike të bëjë një hap, të takohemi në mes, të sigurojmë rrugën evropiane, pastaj do të shkojmë në zgjedhje. Në të njëjtin moment kur të miratohen ndryshimet që do të sigurojnë të ardhmen evropiane të qytetarëve, do të shkojmë në zgjedhje. Jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që ata kërkojnë për ndryshimet kushtetuese”, thotë Osmani.
I pyetur për deklaratën e opozitës se dorëheqjet janë vetëm mashtrim, Osmani ju bëri thirrje “t’i testojnë, t’i votojnë ndryshimet kushtetuese”, me çka, potencoi, me automatizëm do të aktivizohen dorëheqjet e ministrave, por edhe të gjithë funksionarëve të zgjedhur në Qeveri nga radhët e partisë.
“Po mundohemi t’u përcjellim qytetarëve porosinë se me këtë vendim po vihet në pikëpyetje ëndrra e perspektivës evropiane. Tani jemi në udhëkryq, a do të izolohet vendi me vendet që kanë çështje të hapura dhe do të hyjë në një grup vendesh që do të duhet të mbyllin të gjitha çështjet e hapura, që do të thotë bilateralizim i plotë i procesit, apo së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi do të jenë vendet e para që do të bëhen anëtare të BE-së dhe do të realizohet ëndrra e qytetarëve për një jetë më të mirë, por, më e rëndësishmja, pasaporta jonë do të pengohet të jetë më pak e rëndësishme se pasaportat e vendeve të tjera fqinje që janë në BE. Akti më patriotik që mund të bëni sot është tu siguroni qytetarëve një të ardhme evropiane”, thekson Osmani.
Ai nuk pajtohet se opozita ka qëndrim konzistent rreth ndryshimeve kushtetuese, por se vazhdimisht i ka ndryshuar sepse, siç thotë, nuk mund të gjejnë argument pse janë kundër ndryshimeve kushtetuese.
I pyetur për atë se nëse deri në nëntor nuk arrijnë t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese, cili është skenari B, a do të ketë zgjedhje të parakohshme, Osmani është i bindur se ndryshimet do të kenë sukses, sepse, thotë, askush nuk ka mundur ta thyejë vullnetin e qytetarëve për të ardhmen evropiane të vendit.
“Ndryshimet kushtetuese do të kenë sukses sepse është vullneti i qytetarëve për anëtarësim në BE dhe askush nuk ka arritur ta thyejë atë vullnet në këto 30 vjet, nuk do të ketë sukses as tani. Ne e fituam betejën e parë, qytetarët u bindën se nuk ka asgjë të diskutueshme në ndryshimet kushtetuese. Besoni se betejë pas beteje do të kemi sukses që të kemi ndryshime kushtetuese para zgjedhjeve”, thotë Osmani.
Ai përsëriti se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, zgjedhjet do të jenë të rregullta në pranverë, vitin e ardhshëm, ndërsa deri atëherë, deri në ditën e fundit, do të punojmë në sigurimin e të ardhmes evropiane të qytetarëve dhe do të kemi sukses sepse i kemi qytetarët prapa”, tha Osmani.
I pyetur për deklaratat e para 2-3 javëve se BDI është viktimë e një sulmi hibrid të lobit politik-biznes maqedonas, ai tha se ato “bazohen në informacione të besueshme për ekzistimin e një qendre të tillë njerëzish, siç saktësoi ai, politikanë të dikurshëm dhe aktualë, dhe që po përpiqen ta kthejnë vendin 10-20 vjet pas”. Informacione më konkrete paralajmëroi për periudhën e ardhshme.