Qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë mall nga Serbia nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë, raportojnë mediat e afërta me pushtetin e Kurtit.
Portali “Koha” raporton se ka mësuar se ky vendim ka ardhur pas kidnapimit nga Serbia të tre policëve kufitarë të Kosovës në veri.
Lidhur me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës ka thirrur në ora 17:00 konferencë të jashtëzakonshme për media në stacionin “Qendra” në Prishtinë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre duke u bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.
Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla tha se kjo është shkelje e çdo marrëveshje dhe kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.
“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, shkroi Sveçla në Facebook.
Edhe Ministri ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”. /Reporteri.net/.