Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia ka vizituar ushtarët italianë të plagosur në përleshjen e 29 majit në hyrje të objektit të Komunës së Zveçan me protestuesit e dhunshëm serbë.
Ristuccia është pritur në Kampin Villagio Italia në Pejë nga koloenli Mario Bozzi, ku edhe kanë qëndruar në infermierinë e këtij kampi.
Ristuccia u ka thënë ushtarëve italianë që të jenë krenar që kanë vepruar në përputhje të plotë me Rezolutën 1244, duke ndërhyrë mes dy palëve të kundërta “dhe duke parandaluar një përplasje që sigurisht do të kishte çuar në një numër të madh të viktimave civile”.
Ai iu ka uruar atyre shërim të shpejt dhe ka thënë se është krenar që është komandant i tyre.
Ushtarët italianë siç ka bërë të ditur ministri italian i Mbrotjes, Guido Crosetto, do të kthehen në Itali në ditët në vijim për t’u rikuperuar dhe për të kaluar kohë me më të dashurit e tyre.
Dje komandanti i KFOR-it, së bashku me admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, kanë vizituar edhe ushtarët e lënduar hungarezë në Kosovë. Pjesa më e madhe e ushtarëve hungarezë të plagosur tashmë janë dërguar në shtëpi dhe janë transferuar në spitale.
“KFOR-i është një mision i udhëhequr nga NATO dhe operon nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, me detyrën e sigurimit të një mjedisi të sigurt dhe të lirë të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, përfundon njoftimi.