Kryeministri i Shqipërisë , Edi Rama në samitin në Bratisllavë të Sllovakisë mbi Ballkanin me temë “Rrugët e Hapura: Ballkanasit sërish në biznes”, u pyet për gjendjen në Kosovë dhe për ushtrinë e Serbisë që është zhvendosur në kufi me Kosovën, shkruan TV21. Rama tha se ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën ka një forcë të barabartë me zero dhe se është sikurse Meksika t’i tregojë forcë SHBA-së.
“Janë duke u fokusuar në ushtrinë e Serbisë në kufi, kjo është një show i mrekullueshëm emocional i politikës së brendshme sepse ushtria e Serbisë në kufi të Kosovës ka një forcë të barabartë me zero. Është si ushtria e Meksikës të tregojë në kufirin e SHBA-së se çfarë mund të bëj, me çdo respekt, e dua Meksikën. Çfarë mund të bëjë, asgjë, asgjë fare, është vetëm për politikë të brendshme, kështu që ka shumë nga politika e brendshme rreth asaj që po ndodh në veri të Kosovës”, tha Rama./tv21.tv