“Njëlloj sikur Zelensky të akuzohet për krime lufte”
Edi Rama nuk e ka mbyllur me kërkesën drejtuar Këshillit të Europës tetorin e shkuar, përpjekjen për shfuqizimin e rezolutës së këtij organizimi bazuar në raportin e Dik Martinit për trafikun e supozuar të organeve nga drejtuesit e UÇK.
Në fjalimin e tij në samitit e liderëve të Këshillit të Europës që po mbahet në Islandë, Rama e risolli në vëmendjen domosdoshmërinë e zhbërjes së atij raporti që s’ka asnjë të vërtetë e që u sponsorizua nga Rusia.
“Do të isha fajtor po të mbetesha i heshtur e të mos flisja sot këtu e të thoja, se asambleja e Këshillit të Europës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapshtë raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve lehtësuar nga UÇK. Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa të bëhej ky gabim i rëndë 12 vjet më parë kur shumë votuan mes sy mbyllur atë raport të turpshëm në mirëbesim”.
Rama ka përsëritur qëndrimin e tij për padrejtësinë që i është bërë ish-presidentit Thaçi që jo për të parën herë e krahason me Volodimir Zelenskin.
“Si shqiptar është e pamundur për mua të shmang heqjen e paraleleve midis Ukrainës e Presidentit Zelensky dhe Kosovës e presidentit Thaçi. Sot në këtë samit të Këshillit të Europës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçit. Presidenti i Kosovës ose si dikush i quajtur Joe Biden iu referua si George Uashingtoni i Kosovës, gjykohet tanimë nga një gjykatë e veçantë e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të 2011 të Këshillit të Europës i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e partisë së Vladimir Putinit në asamblenë e Këshillit të Europës. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neo-nazistët në Donbas, mu duk sikur pashë presidentin Zelensky 10 vjet më vonë gjykuar nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi të njëjtat akuza absurde. është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet presidenti Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e pati zanafillën brenda Këshillit të Europës. Sigurisht sot situata ka ndryshuar. Rusia nuk është më një anëtare e këtij Këshilli edhe pse numri i rusëve që vazhdojnë të punojnë për Këshillin e Europës është mjaft mbresëlënës dhe falë Zotit uniteti i bashkësisë demokratikë të Këshillit në mbështetje të luftës çlirimtare të Ukrainës dhe presidenti Zelensky është i jashtëzakonshëm”.
Liderit e vendeve anëtare të Këshillit të Europës janë mbledhur në Reykjavik, për të marrë dakordësinë për ndërtimin e një sistemi që përllogarit me saktësi të gjithë faturën që duhet t’i paguajë Moska për dëmet në njerëz dhe ato materiale Ukrainës, dokument që u firmos nga kryeministri Rama.
Tv Klan