Një qytet në Suedi është bërë i pari në vend që do të kërkojë pajisjen me leje të posaçme për të lypur, duke u kërkuar të gjithë lypësve në rrugë të paguajnë 23 euro për të marrë licencën. E vlefshme për tre muaj, licenca mund të përfitohet duke mbushur një formular online ose në një stacion policie dhe kërkon një kartë identiteti të vlefshme.
Kushdo që do të kapet duke lypur para në rrugë në qytetin Eskilstuna, në perëndim të Stokholmit pa licencë do të përballet me një gjobë që shkon deri në rreth 400 euro. Skema që hyri në fuqi nga 1 gushti, sipas këshilltarëve lokalë ka si qëllim të burokratizojë lypjen dhe ta bëjë më të vështirë atë. Por, kritikët e skemës kanë thënë se ajo legjitimon lypjen dhe argumentojnë se ajo i bën ata që janë të detyruar të kërkojnë para, shumë prej të cilëve romë nga vende si Rumania apo bullgaria, akoma më vulnerabël.
Disa qytete suedeze kanë nxjerrë jashtë ligji lypjen muajt e fundit pasi një gjykatë supreme administrative la në fuqi ndalimin e praktikës në qytetin Vellinge, në jug të vendit. Sidoqoftë, televizioni shtetëror STV raportoi se aplikime për tetë licenca ishin dorëzuar në Eskilstuna gjatë fundjavës, ndërsa tre qytetarë të vendeve të tjera të BE-së që lypnin në qendër të qytetit pa licencë ishin informuar për ligjin e ri dhe ishin larguar nga policia.
https://www.gazetaexpress.com/tani-e-tutje-lypesit-ne-suedi-duhet-te-posedojne-license/