Ndërtimi i autostradave si ai i Korridorit 8 dhe 10 do të përmirësojë disa herë pozitën ekonomike të shtetit, tha ministri i financave, Fatmir Besimi, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”. Kjo rritje ekonomike sipas tij duhet të dyfishohet nga 2.5 në 5 për qind rritje mesatare vjetore në pesë vitet e ardhshme dhe në këtë mënyrë do të ngrihet në një nivel më të lartë të dinamikës së rritjes ekonomike në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.
“Me Korridorin 10 dhe Korridorin 8, vendi ynë bëhet udhëkryq i rrugëve tregtare, korridoreve kyçe panevropiane dhe kjo është gjeostrategjikisht e rëndësishme për të gjithë rajonin, jo vetëm për ekonominë tonë. Nga ky aspekt jam absolutisht i bindur se ky projekt do të përmirësojë disa herë pozicionin ekonomik dhe rritjen ekonomike, 2 për qind e bruto produktit të brendshëm nominal në nivel vjetor është shuma e këtij projekti, që do të thotë se në pesë vitet e ardhshme do të mbulojë rreth 10 për qind të PBB-së dhe nga ky aspekt mendoj se projekti është i një rëndësie të jashtëzakonshme.”, – deklaroi ministri i financave, Fatmir Besimi.
Besimi thekson se investimet private inkurajohen edhe përmes programeve të financuara nga buxheti. Aktualisht, mbetet mbështetja për qytetarët dhe ekonominë për të përballuar më lehtë krizën globale.